Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka thënë se me pikëllim të thellë ka marrë lajmin për ndarjen nga jeta të mësueses Lindita Preteni.
Bytyqi në një postim në llogarinë e tij në Facebook ka shkruar se mësuese Lindita, sapo kishte nisur të japë kontributin e saj me përkushtim në arsimimin e gjeneratave të reja.
“Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta në moshë shumë të re të mësueses Lindita Preteni, e cila punonte në shkollën “Fazli Grajqevci” në Mitrovicë.
Mësuese Lindita, sapo kishte nisur të japë kontributin e saj me përkushtim në arsimimin e gjeneratave të reja, prandaj kjo e shton dhembjen tonë dhe është një humbje e madhe për shkollën ku punonte, komunën dhe arsimin në përgjithësi.
Prandaj, në emër të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjarëve, miqëve dhe kolegëve të saj!”, ka shkruar në Facebook Shyqiri Bytyqi. /Telegrafi/