Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, i shoqëruar nga zyrtarë të MAShT, po merr pjesë në konferencën dyditore “Platforma e Ballkanit Perëndimor për Edukim, Trajnim, Hulumtim dhe Inovacion”.
Në ditën e parë të Konferencës, ministri Bytyqi dhe ministrat tjerë të arsimit të Ballkanit Perëndimor, do të diskutojnë për zhvillim të politikave rajonale, prioritetet për bashkëpunim rajonal, ngritjen e kapaciteteve hulumtuese dhe inovative, reformat në arsimin e lartë, ngritjen e kapaciteteve për hulumtim në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe ndikimin që ka programi ERASMUS + në Ballkanin Perëndimor.
Ndërsa, në ditën e dytë do të diskutohet për mobilitetin inter dhe infra-rajonal.
Ministri Bytyqi, e ka vlerësuar pjesëmarrjen në Konferencë si shumë të rëndësishme, fillimisht për integrimin ndërkulturor të vendeve brenda platformës, pastaj krijimin e mundësive të reja për studentët për përfitimin e bursave, me qëllim studimi jashtë vendit, rritjen e bashkëpunimit në mes të rinjve dhe hedhjen e një hapi përpara drejt integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian.
Në kuadër të Konferencës po festohet dhe 30 vjetori i themelimit të Programit ERASMUS +.
Në kuadër të kësaj komponente, komisioneri evropian për edukim, kulturë, rini dhe sport, Tibor Navracsisc, përshëndeti anëtarësimin e Kosovës në programin ERASMUS + dhe bëri thirrje për vendet anëtare që të angazhohen për shfrytëzimin e fondeve të BE-së.