Ministri i Arsimit Shyqiri Bytyqi njofton se bashkë edhe me kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj, kanë takuar sot ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë Kristian Heldt dhe udhëheqësin e projektit CDBE të GIZ Boris Scharlowski më të cilët kanë biseduar për zhvillimet në arsim.
Bytyqi ka bërë ditur se në këtë takim u theksua rëndësia e krijimit të shkollave kampione sipas modelit gjerman.
“Bashkë me kryeministrin Haradinaj, ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Kristian Heldt, si dhe udhëheqësin e projektit CDBE të GIZ, z Boris Scharlowski , zhvilluan një takim të përbashkët, ku biseduam për zhvillimet në arsim, prioritet në këtë sektor si dhe bashkëpunimin me GIZ –in, në realizimin e objektivave.
U theksua nevoja e angazhimit permanent të të gjithë faktorëve në përmirësimin e arsimit, rëndësinë e krijimit të shkollave kampione sipas modelit gjerman, menaxhimi i shkollave, gjithë-përfshirja dhe përmirësimi i rolit të mentorëve, me qëllim që të kemi një diplomë të konkurrueshme me shtetet e BE-së.
Bashkë me kryeministrin falënderuam ambasadorin Heldt dhe Scharloëski për kontributin e shtetit gjerman dhe organizatës GIZ, në ngritjen e cilësisë së arsimit, si një nga prioritetet kryesore të Qeverisë.
Në këtë takim diskutuam edhe për rritjen e buxhetit për 12 për qind për vitin 2019, si hap i parë në përmirësimin e arsimit në vend. Gjatë këtij takimi, gjithashtu folëm edhe për nevojën e angazhimit maksimal për zhvillimin e arsimit dhe aftësimit profesional dual (ndërlidhja e mësimit teorik me atë praktik) sipas modeleve dhe praktikave gjermane dhe të vendeve tjera evropiane”, ka thënë Bytyqi. /Telegrafi