“Investimi i ri i kompanisë gjermane BMZ për prodhimin e baterive përcjell mesazhin se Maqedonia e Veriut është një vend në të cilin konvergjenca e zinxhirit të vlerës pas pandemisë COVID dhe problemet që lindën me luftën në Ukrainë, i bën investitorët e huaj të shikojnë Maqedoninë e Veriut si destinacion ku do të vazhdojë prodhimi i tyre”, tha për MIA në Frankfurt, zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, përgjegjës për çështje ekonomike, koordinim me resorët ekonomikë dhe investimet, Fatmir Bytyqi.
Bytyqi theksoi se pavarësisht informacioneve se Gjermania është në recesion, investimi i ri është një tregues se kompanitë gjermane janë të gatshme për të investuar dhe se vendin tonë e shohin si pjesë të Bashkimit Evropian dhe si të tillë bëjnë investime.
“Ky është një investim i teknologjisë së lartë në prodhimin e baterive dhe mendoj se do të jetë një fillim i ri për vendin tonë, sepse do të lëvizë zinxhirin e vlerës në sektorin e automobilave në prodhimin e automjeteve elektrike, por edhe në të gjitha llojet e tjera të transporti që përdorin bateritë si aset bazë për punën e tyre”, tha zëvendëskryeministri Bytyqi, ndërsa shtoi se delegacioni ynë shtetëror në Frankfurt do të ketë takim edhe me një grup kompanish gjermane, të organizuar nga delegacioni maqedonas-gjerman për bashkëpunimin e biznesit.
“Mendoj se ka shenja pozitive, se kompanitë jo vetëm nga Gjermania, por edhe nga vendet e tjera evropiane po e gjejnë vendin e tyre në Maqedoninë e Veriut, sepse ne ofrojmë fuqi punëtore konkurruese, ofrojmë kushte konkurruese për kompanitë. Mendoj se të gjithë e kanë kuptuar se të kesh zinxhirin e vlerës shumë larg, në Azi apo më larg, e ndërlikon prodhimin dhe ul konkurrueshmërinë e tyre. E përbashkëta dhe afërsia e zinxhirit të vlerës në Evropë rrit konkurrueshmërinë e ekonomisë evropiane, ku ne jemi pjesë e saj”, tha Bytyqi.
Bytyqi së bashku me drejtorin e Drejtorisë për Zonat Zhvillimore Industriale Teknologjike (DTZHTI), Jovan Despotovski, ndodhet në një vizitë pune në Republikën Federale të Gjermanisë, gjatë së cilës në Frankfurt u nënshkrua marrëveshja me kompaninë gjermane për prodhimin e baterive litium-jon “BMZ”, për realizimin e një investimi të ri gjerman në Maqedoninë e Veriut, i cili do të sigurojë mbi 750 vende të reja pune./Telegrafi/