Telegrafi

Bytyqi: E hapim Kapitullin 28, duke harmonizuar legjislacionin avancojmë të drejtat e konsumatorit dhe shëndetin publik të qytetarëve

Zv. kryeministri i Qeverisë, përgjegjës për çështje ekonomike, koordinim me resorët ekonomikë dhe investimet, Fatmir Bytyqi, sot në Bruksel mori pjesë në takimin bilateral nga Kapitulli 2, “Tregu i brendshëm”, më saktësisht në takimin nga Kapitulli 28 “Mbrojtja e konsumatorit dhe shëndeti publik”.

Në fjalimin e tij para përfaqësuesve të Bashkimit Evropian (BE), zëvendëskryeministri Bytyqi theksoi se kujdesi shëndetësor dhe mbrojtja e konsumatorëve përfaqësojnë një fushë të shumanshme me rëndësi të madhe për jetën e përditshme të qytetarëve dhe se tregu botëror do të ishte jofunksional nëse konsumatorët nuk mbrohen në mënyrë adekuate nga ligjet kombëtare dhe institucionet ndërkombëtare.

“Kur jam para kompjuterit, ose kur marr telefonin për të porositur diçka nga dyqanet online, gjithmonë kam parasysh se ekzistojnë organe rregullatore për të gjithë shitësit e regjistruar online dhe se të drejtat e mia të konsumatorëve janë dhe do të jenë të mbrojtur nëse gjatë porosisë sime ka ndodhur ndonjë problem apo mashtrim”, tha Bytyqi.

Zv. kryeministri para përfaqësuesve të Komisionit Evropian, iu referua shëndetit të qytetarëve, i cili tha se paraqet shtyllën bazë për zhvillimin ekonomik të një shoqërie, dhe kjo është pikërisht ajo që thuhet në Kapitullin 28 që po diskutohet këto ditë dhe është shënuar në raportin e fundit të Komisionit Evropian dhe institucioneve tjera relevante për Maqedoninë e Veriut në fushën e të drejtave të konsumatorëve dhe kujdesit shëndetësor.

“Ne do të harmonizojmë të gjithë legjislacionin vendas me ligjet e BE-së në fushën e mbrojtjes së konsumatorit, me theks të veçantë në rritjen e kapaciteteve të strukturave tona operacionale që menaxhojnë dhe kryejnë inspektime. Ne do të bëjmë shumë më tepër përpjekje për kontrollin e detajuar të duhanit, do të zbatojmë në mënyrë efektive të gjitha ligjet relevante të BE-së dhe në fund do të miratojmë dhe ratifikojmë protokollin për eliminimin e tregtisë së paligjshme të produkteve të duhanit. Ne do të sigurojmë mbështetje të mjaftueshme financiare për institucionet shëndetësore që punojnë në njohuri të specializuara për zbulimin e hershëm të kancerit dhe sëmundjeve të rralla, bazuar në të dhënat nga regjistrat”, tha Bytyqi.

Bytyqi, në fund të fjalimit të tij shprehu përkushtimin e Maqedonisë së Veriut për miratimin e ligjit të ri për mbrojtjen e konsumatorëve, dhe paralelisht do të punohet për tejkalimin e problemeve që lidhen me sigurinë, duke përcaktuar një procedurë të qartë për ankesat e konsumatorëve, organin që do të vendosë dhe metodologjinë e kompensimit për çdo shkelje të ligjit nga shitësit.