Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqyri Bytyqi është pritur sot nga guvernatorja e Iowas, Kim Reynolds, si dhe nga sekretari i Shtetit të Iowas, Paul D. Pate në takime të ndara.
Në këto takime është biseduar për thellimin e bashkëpunimit mes Iowas dhe Kosovës në fushën e arsimit.
Në këto takime, në të cilat ka marrë pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ministri Bytyqi falënderoi guvernatoren Reynold si dhe sekretarin Pate për të gjitha ato që ka bërë shteti i tyre për Kosovën në të gjitha fushat, e veçanërisht në fushën e arsimit.
Ministri theksoi faktin se tashmë ka një bashkëpunim të mirë mes universiteteve të Iowas dhe atyre të Kosovës. Por, ai theksoi se thellimi i këtij bashkëpunimi do të ishte i një rëndësie të veçantë për të rinjtë e Kosovës, të cilët siç tha ai janë të talentuar dhe ambiciozë dhe si rezultat kjo do t’i ndihmonte Kosovës për zhvillim në të gjitha fushat tjera.
Siç bëhet e ditur në njoftimin e MASHT-it, Bytyqi mori konfirmimin e guvernatores Reynolds, se Kosova do të vazhdojë të ketë mbështetjen e Iowas dhe do të ketë bashkëpunim mes dy vendeve në shumë fusha të rëndësishme, e mes tyre edhe në fushën e arsimit dhe edukimit. /Telegrafi/