Site icon Telegrafi

Bytyqi dhe Apostolova bisedojnë për zhvillimet aktuale në sektorin e arsimit

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi ka takuar sot shefen e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, me të cilën bisedoi për zhvillimet aktuale në sektorin e arsimit, në veçanti për gjetjet nga raporti i projektit të  BE-së mbi Rishikimin Funksional të kapaciteteve të MAShT-it.

Ministri Bytyqi tha se që nga fillimi janë angazhuar maksimalisht  me qëllim që të bëjnë më të mirën e mundshme që të ketë një arsim cilësor në të gjitha nivelet dhe theksoi se MAShT mbetet e përkushtuar dhe do të vazhdojë me këmbëngulësi që të realizohen plotësisht reformat në arsim.

Ndërsa, sa i përket gjetjeve nga raporti i projektit të KE-së mbi rishikimin funksional të kapaciteteve të MAShT, ministri Bytyqi tha se do të angazhohen që të përmbushin rekomandimet që dalin nga ky raport.

Në këtë drejtim, Bytyqi tha se do të zhvillohen takime intensive me të gjitha departamentet në MAShT, për çka do të bëjnë një plan veprimi, ndërsa theksoi nevojën e bashkëpunimit me ekspertë të jashtëm me qëllim të përmirësimit të gjendjes, përmbushjes së rekomandimeve, në funksion të rritjes së efikasitetit  dhe cilësisë.

Ndërkaq, shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova konfirmoi gjetjet dhe rekomandimet nga raporti mbi Rishikimin Funksional të kapaciteteve të MAShT, duke ofruar bashkëpunim dhe mbështetje të mëtejme  profesionale aty ku është e nevojshme.

Në këtë takim u fol edhe për aktualitete tjera zhvillimore në arsim, siç është profilizimi i mësimdhënësve nga klasa  I-V-së, si dhe për nevoja e trajnimit të mëtutjeshëm të mësimdhënësve me qëllim të rritjen së cilësisë në mësimdhënie e mësimnxënie. /Telegrafi/

Exit mobile version