“Me buxhetin për vitin 2024, i cili tash po krijohet dhe është në fazën përfundimtare, nuk do të ketë mjete për paga më të larta për funksionarët”.
Këtë e tha sot zv.kryeministri për Çështje Ekonomike Fatmir Bytyqi, në lidhje me pagat e funksionarëve. Ai deklaroi se funksionarët e zgjedhur dhe të emëruar nuk do të tërhiqen nga rritja e pagave për 10 përqind, por Qeveria do të vendosë të mos ketë rritje, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Bëhet fjalë për zgjidhje sistemike dhe pritet që të dorëzohet propozim në Qeveri”, tha Bytyqi.
Zv.kryeministri theksoi se në vitin 2025 do të ketë metodologji krejtësisht të re të pagave sipas së cilës paga në sektorin publik do të llogaritet me të njëjtën metodologji që përdoret për llogaritjen e pagave të personave të zgjedhur dhe të emëruar.
Vitin e ardhshëm, nga ana tjetër, sektori publik do të marrë rritjen e pagave që do të arrijë përmes kontratave kolektive të degëve, e cila megjithatë, siç përmendi ai, nuk mund të jetë në kundërshtim me parimet e Kontratës së Përgjithshme Kolektive./Telegrafi/