Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi edhe një herë ka dalur kundër grevës nga SBASHK-u, duke thënë se buxheti i Kosovës nuk mund të përballojë rritje të pagave për mësimdhënësit.
Bytyqi ka paralajmëruar gjithashtu që orët e humbura nga kjo grevë, do të kompensohen.
Në ditën e pestë të grevës, i pari i Arsimit, ka thënë se humbja e kohës e mësimdhënies do të jetë e pa kompensuar.
“Mendoj qe duhet të jemi të arsyeshëm dhe të gjejmë zgjidhje që procesi mësimor të fillojë. Ligji tashmë është në duart e deputetëve. Është një kosto shumë e lartë që nëse kjo rritje ndodhë me 30% dhe nuk bëhet lëvizje tjetër do të jetë vështirë e përballueshme për buxhetin e Kosovës. Buxheti i Kosovës nuk mund të përballojë një kosto të lartë”, ka thënë ministri i Arsimit në Klan Kosova.
Bytyqi është shprehur se duhet të ketë dialog, në mënyrë që greva të ndalet. Sipas tij, humbja e orëve më së shumti po i dëmton nxënësit.
“Kjo ka qenë brenga jonë kryesore. Në asnjë moment s’kemi qenë pro fillimit të grevës. Kemi kërkuar që renditja për paga në projektligj të jetë më e lartë. Konsideroj qe qasja në projektligje nuk është shpërfillje, ajo që duhet të kuptohet se sponzoriues i këtij ligji ka qenë ministria e Administratës Publike, ndërsa ne kemi qenë vetëm si zëdhënës dhe s’kemi qenë vendimmarrës. Fatkeqësisht ky ligj që kishte qëllim për nivelizim të pagave u kthye në një garë se cili dikaster do të ketë paga më të larta”, ka thënë Bytyqi.
Ndryshe që nga e hëna, të gjitha institucionet arsimore ka qenë në grevë, si kundërshtim për Projektligjin e Pagave. /Telegrafi/