Ministri i Arsimit, Shyqyri Bytyqi ka thënë se mos zëvendësimi i orëve të humbura në arsim po bëhet sfidë në vete.
“Kohë më parë, ne u ballafaquam me grevën e punëtorëve të arsimit të organizuar e drejtuar nga SBASHK-u. U dashtë kohë dhe angazhim i shumë faktorëve për të arritur një marrëveshje që, auditorët e arsimit t’i ktheheshin normalitetit. Marrëveshja ktheu në punë grevistët dhe risolli në procesin mësimor nxënësit e studentët, por nuk i ktheu humbjet që pësoi mosrealizimi i programeve mësimore nga orët e humbura”, ka thënë Bytyqi.
Ai ka thënë se ka kërkuar mirëkuptim nga SBASHK-u, që të vazhdonin të kërkonim zgjidhje, meqë, edhe ai ishte vënë komplet në anën e tyre, vetëm e vetëm që mësimi të mos ndërpritej.
“Kam pritur ndjeshmëri më të madhe të tyre për humbjet që po ua shkaktonin nxënësve e studentëve, ngase unë kam qenë përgjatë gjithë atyre zhvillimeve i hapur me ta, sikur dhe në konsultë e harmonizim me Kryeministrin, ministrat e deputetët, palët të cilët kishin të bënin me zgjidhjen që u ofruam.
Mosrealizimi i programit mësimor është cilësi e munguar dhe kjo cilësi e munguar po na dëmton, e do të na dëmtojë në të gjitha planet, qoftë për arritshmërinë, qoftë për standardet.
Edhe sot e kësaj dite, mendoj se ne nuk bëmë mjaftueshëm për arsimin në marrëveshjen për ndërprerjen e grevës. Do të doja të bënim më shumë, por ato ishin mundësitë!”, u shpreh ministri Bytyqi.
Ministri ka thënë se ka lëshuar një vendim për plotësimin e orëve të humbura në harmonizim me ligjet në fuqi por kjo ka indinjuar SBASHK-un pasi këta të fundit kanë kërcënuar me greva tjera.
“Orët e humbura duhet të zëvendësohen sepse kjo dëmton nxënësit dhe i privon nga njësia e programeve mësimore. SBASHK-u duhet të reflektojë”, ka theksuar Bytyqi. /Telegrafi/