Site icon Telegrafi

Bytyqi-Andersen: Kriza klimatike nuk është një sfidë që mund të trajtohet vetëm nga një faktor

Zëvendëskryeministri i Qeverisë, përgjegjës për çështje ekonomike, koordinim me resorët ekonomikë dhe investimet, Fatmir Bytyqi, i shoqëruar nga sekretari i përgjithshëm i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Metodija Dimovski, sot në Nju -Jork ka takuar nënsekretaren e Kombeve të Bashkuara (KB) dhe drejtoreshën ekzekutive të Programit të KB-së për Mjedisin, Inger Andersen.

Siç kumtoi Shërbimi për shtyp i Qeverisë, në takim, zëvendëskryeministri Bytyqi theksoi prioritetet që ka vendosur Qeveria në fushën e ruajtjes së biodiversitetit, për të cilin bashkërisht u vlerësua se shpallja e Malit Sharr si Park Kombëtar është një nga sukseset më të mëdha.

Drejtoresha ekzekutive i UNEP-it, Andersen theksoi se bashkëpunimi dhe lidhja rajonale janë të rëndësishme për arritjen e rezultateve efektive në luftën kundër ndryshimeve klimatike.

“Kriza klimatike nuk është një sfidë që mund të trajtohet vetëm nga një faktor. Ajo kërkon mobilizimin dhe veprimin e sinkronizuar të të gjithë aktorëve të interesuar. Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm, të diskutuara në Samitin e sivjetmë të Kombeve të Bashkuara për Zhvillimin e Qëndrueshëm, nuk janë një listë dëshirash. Për zbatimin e tyre duhet gjetur një mënyrë më koherente bashkëpunimi”, tha zëvendëskryeministri Bytyqi, ndërsa shtoi se përmes Strategjisë Kombëtare të Zhvillimit realizimi i këtyre synimeve do të vendoset lart në agjendën e Qeverisë.

Zëvendëskryeministri Bytyqi dhe drejtori Andersen diskutuan edhe për mundësitë për thellimin e bashkëpunimit në fushën e forcimit të rezistencës klimatike të infrastrukturës në Maqedoninë e Veriut. Në këtë drejtim, u bë e ditur se rezistenca klimatike e infrastrukturës do të jetë temë bisede në nivelin më të lartë me Bankën Evropiane të Investimeve deri në fund të vitit.

Në takim Andersen bëri të ditur se një ekip i UNEP-it do të dërgohet në Maqedoninë e Veriut për të bërë analiza shtesë në fushën e rezistencës klimatike të infrastrukturës.

Zëvendëskryeministri Bytyqi dhe drejtoresha Andersen vlerësuan bashkërisht se është i nevojshëm akreditimi i Maqedonisë së Veriut në UNEP, gjë që do të hapte mundësi të reja për thellimin e bashkëpunimit në luftën kundër ndryshimeve klimatike.

Exit mobile version