Për tetë vite nga Maqedonia janë larguar 700 mijë persona duke krijuar kështu boshllëk në tregun e punës.
Zv. kryeministri për çështje ekonomike Fatmir Bytyqi thotë se kërkesat për vende të reja të punës ka mjaftueshëm por sipas tij, mbi 90 përqind e të papunëve janë të paaftë për tregun e punës.
Ai tha se në Maqedoni ka punë të mjaftueshme por politikat e gabuara në 30 vitet e fundit nuk kanë dhënë rezultate për prodhimin e fuqisë punëtorë që e kërkon tregu.
“Nga viti 2011 deri në vitin 2019 nga shteti janë larguar 700 mijë bashkëqytetarë ose gati çdo i katërti është larguar nga shteti. Edhe pse ai trend është ulur gjatë kohës së pandemisë, edhe më tej paraqitet si problem serioz jo vetëm për bartësit e funksioneve publike por edhe për gjithë shoqërinë pasi paraqitet një boshllëk në tregun e punës. Në krijimin e politikave, si shoqëri duhet të hapim një diskutim për plotësimin e tregut të punës, për sjellje pak më ndryshe se nga veprimi i deritanishëm. Nëse shihni se në Agjencinë për punësim përqindja e të papunëve është me të vërtetë shumë e lartë, por 93,4 për qind nga të papunët janë të paaftë funksional ose ajo do të thotë se aftësitë e tyre nuk përshtaten me tregun e punës”, tha Fatmir Bytyqi, Zv. kryeministër për çështje ekonomike. /Alsat.mk