Byrosë Kosovare të Sigurimit njofton se janë të gatshëm ta largojnë aplikimin e sigurimit kufitar me Bosnjën e Hercegovinën, përmes njohjes reciproke të çertifikatave të sigurimit të vlefshme për vendet respektive.
Kështu u tha pas takimit të drejtorit të BQK-së, Sami Mazreku me deputeten e Kuvendit të Kosovës, Dude Balje, përcjell Telegrafi.
Balja ka kërkuar që Byroja Kosovare e Sigurimit në bazë të kompetencave ligjore që ka, të shikojë mundësinë që Kosova dhe Bosnja e Hercegovina të heqin aplikimin e sigurimit kufitar, duke zbatuar modalitetet e njohura nga sistemi i Kartonit të Gjelbër.
“Ne sot takuam drejtorin e Byrosë Kosovare të Sigurimit. Nga i njëjti kërkuam që të hiqet kjo pengesë për qarkullimin e qytetarëve të të dy vendeve. Mazreku na dha mbështetje për këtë iniciativë për të cilën vlerësoj që do të mirëpritet nga dy vendet. Kjo nismë do të ishte pozitive, pasi që edhe Qeveria ka marrë vendim që të udhëtohet me letërnjoftime”, tha Balje.
Kurse Mazreku tha se janë të gatshëm të bashkëpunojnë me këtë vend.
“Ne mirëpritëm sot në vizitë deputeten Balje, përkrahëm iniciativën e saj që ne si Byro të shikojmë mundësinë të heqim sigurimin kufitar me Bosnjën duke mundësuar lëvizjen përmes njohjes reciproke të certifikatave të sigurimit të të dy vendeve. Tani për tani, një proces të tillë të njohjes reciproke të sigurimeve për territoret respektive jemi duke e finalizuar me Byronë e Malit të Zi”, tha ai. /Telegrafi/