Telegrafi

Byrnes për rastin “Haraçi”: Nxisim përgjegjësi nga të gjithë zyrtarët

Ambasadorja e sapoardhur e SHBA-ve në Maqedoninë e Veriut, Kate Marie Byrne në intervistë për “Alsat” për rastin “Haraçi” dhe përfshirjen e prokurores Katica Janeva në të, tha se këto janë pretendime shumë serioze, dhe në të gjitha rastet kur ka pretendime për korrupsion dhe shpërdorim të detyrës, ne mbështetim një hetim të plotë.

“Këto janë pretendime shumë serioze, dhe në të gjitha rastet kur ka pretendime për korrupsion dhe shpërdorim të detyrës, ne mbështetim një hetim të plotë, të shpejtë dhe transparent. Është absolutisht kritike, që në cilindo rast me pretendime të tilla, personat të përgjigjen dhe Qeveria të veprojë. Ne njohim dhe përshëndesim hapat e marra nga Qeveria për t’i dhënë fund korrupsionit dhe të luftojë mosndëshkimin. Por ka akoma shumë punë që duhet kryer. Dhe ne do vazhdojmë të nxisim kryeministrin Zaev që të kërkojë përgjegjësi nga të gjithë zyrtarët qeveritar dhe të sigurojë që pavarësisht nga niveli i funksionit, se njerëzit të kenë besim tek institucionet qeveritare dhe ajo që ata mund të bëjnë për ta”, tha Byrnes.

Ambasadorja gjithashtu tha se mbështesin në prokurori të fortë dhe të pavarur.

“Ne sigurisht që po i ndjekim zhvillimet aktuale. Ne mbështesim një Prokurori të fortë, të pavarur. Besojmë se është e rëndësishme të ruhen aftësitë e Prokurorisë Speciale dhe kjo do të përcjellë një sinjal të qartë te qytetarët e Maqedonisë së Veriut dhe komunitetit ndërkombëtar se Maqedonia e Veriut është tërësisht e përkushtuar që sundimi i së drejtës të ecë përpara. Gjithashtu është një etapë shumë e rëndësishme për në NATO dhe BE”, tha Byrnes./Alsat/Telegrafi/