Telegrafi

Buzhala: Kurti, ogur i zi i politikës kosovare

Berat Buzhala, nga Partia Demokratike e Kosovës, në seancën e sotme ka kërkuar në emër të Grupit parlamentar të PDK-së, që Lëvizja Vetëvendosje të distancohet nga deklarimet e saj antiamerikane. Ai tha se Vetëvendosja është e vetmja parti shqiptare që është kundër SHBA-ve, transmeton RTK.

“Lideri i VV-së Albin Kurti është një ogur i zi për politikën kosovare, me kërcënimin që ua ka bëtë SHBA-ve. Badihava marshojnë marshallët e VV-së, por këtë më së miri na kanë bërë të ditur tre ambasadorët të SHBA-së”, tha Buzhala.

Por, në anën tjetër, kryesuesi i seancës Jakup Krasniqi, ka ndërprerë polemikat mes PDK-së dhe VV-së duke thënë se “është kryer pika e rendit të ditës “hajt pak”.

Në kohën e pyetjeve parlamentare, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri ka kërkuar nga ministri i Ekonomisë, Besim Beqaj sqarime rreth fillimit të negociatave për zëvendësimin e kodit aktual telefonik me atë të Shqipërisë. Ministri Beqaj ka thënë se ka pasur lëvizje të theksuara në këtë drejtim dhe Kosova e pranon kodin 355.

Ndërsa deputeti i LDK-së, Haki Demolli, ka shprehur shqetësimin për përdorimin e standardeve të dyfishta nga ana e Policisë së Kosovës karshi ngjarjeve në vend.

Ai ka kërkuar nga Policia e Kosovës trajtim parimor, të drejtë ndaj të gjithë qytetarëve pavarësisht se ku protestojnë.

Ndërkohë deputetët nga ngritur shqetësime edhe për korrupsion, efikasitet të gjyqësorit, dhe mos respektim të ligjeve nga ana e zyrtarëve të lartë. /Telegrafi/