Telegrafi

Buxhuku: Të krijohet Gjykata Administrative

“Krijimi i gjykatave administrative është në thelbin e vet me përmasa shtetformuese, sepse ekzekutivi në shembullin e shteteve demokratike të zhvilluara do të duhej të lëshonte, sikurse parashikohet në ligjin përkatës, pjesë të konsiderueshme të pushtetit drejt një sistemi tjetër siç është pushteti gjyqësor”, tha Gjergji Buxhuku.

Konfindustria kërkon të hiqet dore nga shembujt e papranueshem mediatik të deritashëm të politizimit skajor, të arsyeve të paqena të mos miratimit të projekt ligjit përkatës si dhe të ndërkombëtarizimit të pavend, që i është bërë procesit të ndërtimit të gjykatave administrative.

“Ndërtimi i gjykatave administrative duhet të miratohet nga vendimmarrja politike si një kërkesë dhe nevojë e qytetarëve, biznesit dhe realitetit të sotëm të zhvillimit të shoqërisë shqiptare dhe në asnjë mënyrë vetëm për hir të projekteve të shteteve miq dhe të huaj, pavarësisht se këta të fundit duhet të falënderohen për ndihmën bujare të dhënë”, tha Buxhuku.

Konfindustria gjithashtu mendon, se është çasti i duhur, që të bëhen edhe disa përmirësime të nevojshme dhe të rëndësishme, që nuk janë marr parasysh në draftin e projekt ligjit të gjykatave administrative të paraqitur në Kuvendin e Shqipërisë .

“Përfitimi më i madh i menjëhershëm i ndërtimit të gjykatave administrative do të ishte ripërcaktimi dhe rindarja e plotë e fushës së përgjegjësisë dhe lëndës së punës së gjithë sistemit gjyqësor, që do të shënonte dhe dhënien e mundësisë për ndërmarrjen e nismave të tjera ligjore për përmirësimin e domosdoshëm të tij”, theksoi Buxhuku. /Telegrafi/