Telegrafi

Buxhuku: Shqipëria dhe shqiptarët si komb në pozita ekspansioni të tregut

Me qëllim të prezantimit të veprimtarive të tyre, por më shumë në gjetjen e investitorëve për zgjerimin e tregut, krahas dhjetëra kompanive ndër më të suksesshme nga Shqipëria, vendet e rajonit dhe sidomos ato me zë prej Evropës, edhe ndërmarrjet më profitabile nga Kosova si PTK, Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës, KEK, Kompania “Ballkan” dhe Kost-i, janë duke marrë pjesë në Panairin Ndërkombëtar të Teknologjisë dhe Cilësisë 2009 që po mbahet në Tiranë.

Është dita e tretë nga hapja e këtij panairi në të cilin po marrin pjesë rreth 50 kompani të ndryshme, në mesin e të cilave janë edhe 18 kompani të mëdha dhe me renome nga fusha e energjetikës dhe infrastrukturës nga e gjithë Evropa.

Administratori i Konfindustrisë, njëherësh organizator i panairit, Gjergj Buxhuku tregon se janë duke u bërë shumë kontraktime brenda kompanive pjesëmarrëse dhe kjo është një nismë e mirë për zhvillimin ekonomik dhe zgjerimin e tregut për bizneset shqiptare në Shqipëri dhe në Kosovë.

Sipas tij, lidhja e kontratave dhe vendosja e bashkëpunimeve mes kompanive është qëllimi kryesor i Panairit Ndërkombëtar të Teknologjisë dhe Cilësisë 2009, dhe shihet se deri tani ka pasur një interes të madh, të cilat mund të çojnë në konkretizime gjatë ditëve në vijim.

Buxhuku tha për Kosovapress se një ndër qëllimet e organizimit të panairit është synimi për arritjen e tregut 7 milionësh, pasi që tani janë krijuar kushtet që shqiptarët si të bashkuar me një treg të kapin më lehtë sukseset në fushën e ekonomisë

Administratori i Konfindustrisë thekson faktin se kompanitë me renome kanë kontrata të financuara nëpër projekte energjetike në Shqipëri prej më shumë se 5 miliardë eurosh dhe si të tilla me pjesëmarrjen e tyre e kanë shndërruar panairin si më të madhin e industrive energjetike për rajonin e Ballkanit Perëndimor në vitin 2009.

“Janë të pranishme industritë nga më të rëndësishmet e Evropës, të cilat kanë lidhur marrëveshje koncensionare shumë të rëndësishme në Shqipëri me një vlerë që llogaritet prej gati 5 miliardë eurosh, të cilat janë të orientuara drejt investimeve energjetike”, ka thënë Buxhuku.

Kompania që bën pjesë në grupin e kompanive të suksesshme të Shqipërisë “Elite Group”, e cila tashmë zotëron një treg të gjerë këtu, është pjesëmarrëse e panairit dhe përfaqësuesit e saj shprehin interesim për investime edhe në Kosovë. 
“Elite Group”, e cila gëzon ekskluzivitetin e makinerive për shpime të thella të markës CAE, është kompania kryesore për ndërtimin e Hidrocentralit të Kalimashit. Njëra nga menaxherët e kësaj kompanie, Aurela Mara, tregon se të drejtën për shpërndarjen e makinerive e kanë fituar edhe për Shqipërinë dhe disa vende të rajonit.

“E reja e fundit që sjell nëpërmjet këtij panairi është e drejta ekskluzive për tregun shqiptar, të Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi për markën e makinerive të specializuar hidraulike QIMV, të cilat arrijnë të bëjnë shpime, ndërtime për rrugë, ndërtime digash apo edhe ndërtime civile”, ka thënë Mara.

Në panair po marrin pjesë edhe ndërmarrjet më profitabile nga Kosova si PTK, Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës, KEK, Kompania “Ballkan” dhe Kost-i, me qëllim të prezantimit të veprimtarive të tyre, por edhe gjetjes së investitorëve potencialë.

Drejtori i përgjithshëm i Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës (ANP), Agron Mustafa tha për Kosovapress se qëllimi i ardhjes në këtë panair, përveç prezantimit të shërbimeve të Aeroportit, është edhe shikimi i investitorëve eventual të interesuar. 

“Vërehet një interesim jashtëzakonisht i lartë, në veçanti një interesim i madh i investitorëve potencialë për të ardhmen e Aeroportit, që duhet të kemi parasysh se Qeveria e Republikës së Kosovës ka bërë publike dhe ka angazhuar kompaninë konsulente që është duke u marrë me analizat për të ardhmen e Aeroportit, dhe këtu investitorët potencialë nuk mungojnë në anën e marrjes apo kërkimit të informacioneve për gjendjen aktuale për Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës me qëllim të investimeve potenciale nga ana e tyre”, ka thënë ai.

Në Panairin Ndërkombëtar të Teknologjisë dhe Cilësisë 2009 në Tiranë, po merr pjesë edhe kompania më fitimprurëse Postë Telekomi i Kosovës (PTK), e cila ditë më parë ka fituar tenderin që të jetë operatori i katërt i telefonisë mobile në Shqipëri.

Zëdhënësi i PTK-së, Menduh Abazi, thotë se ky ka qenë edhe arsyetimi i prezantimit në panair, krahas kompanive tjera të fuqishme dhe me renome evropiane në fushën e telekomunikacionit.

“Siç është i njoftuar edhe opinioni, PTK ditë më parë ka fituar tenderin që të jetë operatori i katërt i telefonisë mobile në Shqipëri. Kemi ardhur këtu që të njoftohemi me opinionin dhe të njoftohemi me atë se sa është parapëlqyer ky vendim i institucioneve të Republikës së Shqipërisë. Qysh në hapje kemi pasur një interesim jashtëzakonisht të madh të njerëzve, të konsumatorëve, të operatorëve tjerë për mundësinë e kalimit tek ne dhe besoj se interesimi do të jetë shumë i madh në kohën kur ne do të fillojmë të operojmë këtu”, ka thënë Abazi.

Ai thekson se sikurse që PTK sikurse është lider me ofrimin e shërbimeve telekomunikuese në Kosovë, do të mundohet të jetë edhe në Shqipëri dhe se “Vala” do të bëjë të mundur që qytetarët nga Kosova përmes linjës së tyre të flasin më lirë me Shqipërinë.

“Vala-Vala. Kjo është e njëjta rrjetë. Janë në tavolinë shumë opsione se si do të jenë çmimet, por besoj që do të jenë të përafërta sikurse që janë në Kosovë”, tha ai.

Panairi Ndërkombëtar i Teknologjisë dhe Cilësisë 2009, i cilësuar si panairi i “tregut 7 milionësh”, do të qëndrojë i hapur në ambientet e Pallatit të Kongreseve deri më 2 maj. Gjatë kësaj kohe janë paraparë të zhvillohen edhe forume të ndryshme, sikurse Forumi i Konfindustrisë 2009 me temën “Shqipëria si fuqi energjetike”. /kosovapress/