Shkrimtari dhe historiani Jusuf Buxhovi është pritur sot në Presidencën e Shqipërisë nga këshilltari ambasadori Flamur Gashi dhe ambasadori Genci Muçaj.
Buxhovi në një postim në Facebook shkruan se dy shtetet shqiptare duhet të bashkëpunojnë për hartimin e veprave kredibile historio-grafike që zbardhin të vërtetën për shqiptarët dhe historinë e tyre, që do të përkthehen dhe do të gjejnë vend në bibliotekat botërore karshi të tjerave që shtrembërojnë apo mohojnë historinë shqiptare.
Lexoni të plotë postimin:
HISTORIANI BUXHOVI U PRIT NË PRESIDENCËN E SHQIPËRISË
Gjatë qëndrimit në Tiranë, shkrimtari dhe historiani i njohu Jusuf Buxhovi, i shoqëruar nga botuesi amerikan Ramiz Tafilaj dhe bashkëbotuesi Milaim Abdullahu, u prit në Presidencën e Shqipërisë nga këshilltari ambasadori Flamur Gashi dhe ambasadori Genci Muçaj.
Me këtë rast, historiani Buxhovi i dhuroi Presidentit të Shqipërisë dhe bibliotekës së Presidencës veprat “Kosova” në tri vëllime në anglisht, si dhe “Maqedoninë” në anglisht dhe veprën “Dardaninë” dhe “Kosova – histori e shkurtër”.
Autori Buxhovi theksoi se këto vepra të përkthyera në anglisht në SHBA nga botuesi “Jalifat Publishing”, në universitetet amerikane të pranuar si literaturë alternative për historinë e Evropës Juglindore, paraqesin një hap të vetmuar për njohjen e historisë së shqiptarëve nga antikiteti e deri të koha jonë jashtë diskursit ideologjik dhe kornizave të historiografisë serbe, që edhe sot e gjithë ditën dominon historiografinë institucionale në Tiranë dhe Prishtinë.
Këshilltari Flamur Gashi falënderoi historianin Buxhovi për punën e palodhshme në fushën e historiogafisë.
Theksoi se dy shtetet shqiptare duhet të bashkëpunojnë për hartimin e veprave kredibile historiografike që zbardhin të vërtetën për shqiptarët dhe historinë e tyre, që do të përkthehen dhe do të gjejnë vend në bibliotekat botërore karshi të tjerave që shtrembërojnë apo mohojnë historinë shqiptare.
Që kjo e vërtetë historike të depërtojë sa më shpejt në botë, drejtori i shtëpisë botuese “Jalifat Publishing” nga Houstoni, Ramiz Tafilaj dhe bashkëbotuesi Milaim Abdullahu, u zotuan se do t’ia dhurojnë menjëherë shtetit dhe diplomacisë shqiptare 100 komplete të “Kosovës” në tre vëllime në anglisht, që të shpërndahen nëpërmes “Council of Albanirn Ambassadors”. /Telegrafi/