Telegrafi

Buxhovi: Kryetari i ri të bëjë ndarje rrënjësore nga udhëheqësia e vjetër LDK-së

Zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit, LDK-në e nxorën në rezultatin më të dobët historik.

Kjo bëri që kryetari Isa Mustafa të japë dorëheqjen dhe ta dërgojë partinë në zgjedhje të reja për kryetar.

Njëri prej themeluesve të LDK-së, Jusuf Boxhovi pret që Kryesia e re duhet të distancohen nga udhëheqësia e deritanishme pasi sipas tij, struktura të LDK-së së tanishme kanë dëmtuar proceset politike në vend.

“Dy gjëra pres nga Kuvendi i LDK-së që do të mbahet të dielën: udhëheqësia e re që do të zgjidhet të bëjë një ndarje rrënjësore nga politika e deritanishme sepse ajo politikë e deritanishme siç po shihet ka qenë e dëmshme për Kosovën, ku struktura të caktuara të LDK-së gjatë këtyre dhjetë viteve të fundit kanë qenë bashkëpjesëmarrës në degradimin e të gjitha proceseve politike në Kosovë”, ka deklaruar Buxhovi për RTV Dukagjinin.

Buxhovi deklaroi se varësisht nga zgjedhja që do të bëhet të dielën, do të kuptohet nëse Mustafa ka gisht në përzgjedhjen emrit që do ta pasojë si kryetar të LDK-së.

“Nëse prej këtij kuvendi del një garniturë e cila do të shkëputët nga të gjitha lidhjet me strukturat e deritanishme atëherë mund të thuhet se Isa Mustafa nuk ka gisht, përndryshe, nëse del çfarëdo lidhje atëherë lirisht mund të thuhet se ka qenë pjellë e kombinimeve të udhëheqjes së deritanishme”, tha Buxhovi./Telegrafi/