Pas një diskutimi maratonë, Bashkimi Europian më në fund arriti marrëveshjen për buxhetin e vitit të ardhshëm, ku përfshihen rritje të shpenzimeve për krijimin e vendeve të reja të punës, si dhe para shtesë për të përballuar krizën e emigrantëve.
Risia mbetet Italia, që abstenoi, gjë që nuk kishte ndodhur kurrë më parë. Kjo është shenja e radhës që flet për marrëdhëniet e tensionuara mes Romës dhe Brukselit.
Shtetet europiane u dakordësuan kështu për të rritur shpenzimet për buxhetin europian të vitit të ardhshëm në 134.4 miliardë euro, nga 133.7 miliardë që ishte propozuar paraprakisht.
Ligjbërësit dhe krahu ekzekutiv i unionit, kishin kërkuar më shumë para. Këshilli i shteteve anëtare arriti gjithashtu dakordësinë për të rritur në 157.8 miliardë euro angazhimet për pagesa vitin e ardhshëm.
Në krahasim me vitin aktual, rritja e shpenzimeve vitin e ardhshëm do të kanalizohet kryesisht për kontrollin kufitar. Gjithashtu, vitin e ardhshëm do të tkurren paratë që shkojnë për vendet më pak të zhvilluara të rajonit, kryesisht ato të Europës lindore.
Pavarësisht rritjes së shpenzimeve për të luftuar papunësinë dhe krizën e emigrantëve, Italia abstenoi. Roma zyrtare tashmë është në një përballje totale me Brukselin.
Komisioni Europian ka paralajmëruar vendin se buxheti i vitit të ardhshëm shkel rregullat e përbashkëta, kryesisht ato të deficitit. Matteo Renzi ndërkohë ka deklaruar se nuk ka ndërmend të tërhqiet nga ky buxhet ekspansionist. /Telegrafi/