Site icon Telegrafi

Buxheti për vitin 2016 shkon për lexim të dytë në Kuvendi

Komisioni për Buxhet dhe financa pas shqyrtimit të Projektligjit të buxhetit të vitit 2016 e ka miratuar atë, duke e proceduar për seancën e ardhshme të Kuvendit të Kosovës për miratim në lexim të dytë.

Të hyrat e rregullta buxhetore që janë paraparë për vitin 2016 janë 1 miliard e 598 milionë euro paraqesin një rritje prej 4 për qind, krahasuar me buxhetin e këtij viti dhe 19 për qind krahasuar me buxhetin e vitit 2014. Ndërsa, shpenzimet buxhetore për vitin 2016 parashihen prej 1 miliard e 680 milionë euro.

Projektligji i buxhetit për vitin 2016, sipas njohësve të çështjeve ekonomike vlerësohet se nuk premton shumë për ndonjë zhvillim të hovshëm të zhvillimit ekonomik të vendit, pasi fokusi më i madh është tek kategoritë sociale.

Andaj edhe përkundër zyrtarëve qeveritarë se ky projektbuxhet adreson objektivat zhvillimore, njohësit e çështjeve ekonomike vlerësojnë se buxheti për vitin 2016 nuk është zhvillimor, por social. Sipas tyre, dinamika e zhvillimit ekonomik në vitin e ardhshëm do të jetë shumë më e ngadalshme sesa parashihet.

Ministri i Financave, Avdullah Hoti, gjatë miratimit në parim të Projektligjit të Buxhetit për vitin 2016, më 17 nëntor, në rrethana të jashtëzakonshme dhe në një sallë të improvizuar, pasi që opozita nuk lejonte të mbahej seanca, ka thënë se Projektligji i buxhetit për vitin 2016, adreson objektivat zhvillimore të Qeverisë dhe ka për qëllim ruajtjen e stabilitetit financiar dhe adreson çështjet kryesore.

Ai ka treguar se buxheti i hartuar është në harmoni të plotë me Fondin Monetar dhe Ndërkombëtar (FMN). Por, njohësit e çështjeve ekonomike dhe përfaqësues të komunitetit të biznesit theksojnë se projektbuxheti për vitin 2016, nuk mundëson zhvillim ekonomik, por vetëm se pasqyron gjendjen e vështirë në të cilën gjendet Kosova.

Ata kanë mëdyshje se gjatë këtij vitit mund të arrihet rritja ekonomike prej 3 për qind dhe e tri viteve të kaluara prej 4,2 për qind. Në projektbuxhetin e vitit 2016 parashihet rritje prej 25 për qind të asistencës sociale për 17 mijë familje, si dhe do të paguhet për përvojën e punës për 80 mijë punëtorë. /Telegrafi/

Exit mobile version