Telegrafi

Buxheti për vitin 2010 afër një 1 miliardë e gjysmë

Shpjegimin më të detajuar për projektbuxhetin e bëri ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala. Sipas tij edhe këtë vit fushat të cilat do të përfitojnë më së shumti nga buxheti janë transporti, energjetika, arsimi, shëndetësia, mirëqenia sociale, siguria, drejtësia dhe bujqësia.

Me mjete të buxhetit 2010 do të fillojnë dy projekte të rëndësishme: autostrada Vermicë-Merdar dhe Universiteti i Prizrenit.

Para fillimit te debatit kryetari i Komisionit Parlamentar për Buxhet dhe Financa Gani Koci kërkoi nga qeveria që në draftin final të buxhetit të ketë parasysh edhe çështjen e rëndë financiare në të cilën ndodhet RTK.

Beshteje për projektbuxhetin ofroi Safete Hadërgjonaj, e cila foli në emër të grupit parlamentar të PDK-së.

Ne emër të LDK-së mbështetje në parim për projektbuxhetin dha deputeti Naser Osmani. Por ai paraqiti një varg vërejtjesh përfshirë edhe vërejtje për favorizim të ministrive që drejtohen nga PDK.

Deputeti tjetër i LDK-së, Sabri Hamiti e kushtëzoi miratimin final të projektbuxhetit me futjen në procedurat e Kuvendit të projektligjit për Prishtinën, çështje kjo që është përmendur shumë edhe në fushatën për zgjedhjet lokale, ndërkohë që në këtë çështje replikoi kryeparlamentari Jakup Krasniqi.

Projekt-buxheti për vitin 2010 u kundërshtua nga deputetët e opozitës me arsyetimin se ka shpërputhje në shifrat tabelare që ndodhen në të, për çka vërejtjet e tyre i bënë deputetët Haki Shatri dhe Donika Kadaj-Bujupi nga AAK, Ibrahim Makolli nga AKR dhe Lulzim Zeneli nga LDD.

Gjatë debatit parlamentarë disa deputetë ngritën shqetësime se projektbuxheti është ndarë në atë mënyrë që favorizon rajone të caktuara të Kosovës, por në këtë çështje ndërhyri vet kryeministri duke mohuar pohimet e tilla.

Pas përfundimit të debatit disa orësh, Projektbuxhetit i Kosovës për vitin 2010 u votua në parim nga 68 deputet, kundër ishin 14, ndërsa 3 abstenuan. /RTK/