Site icon Telegrafi

Buxheti për Forcën e Sigurisë për 2018-në rritet vetëm 3 milionë euro

Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Rrustem Berisha, ka theksuar se FSK e ka përmbushur mandatin e saj, duke arritur kapacitetet operacionale, duke e qenë e gatshme për transformim në ushtrinë e Kosovës.

Ai këto komente i ka bërë në mbledhjen e Komisionit për Mbikëqyrjen e FSK-së.

Berisha tha se janë të fokusuar në vendosjen e politikave strategjike, me qëllim që FSK t’i mirëmbajë kapacitetet e veta, t’i avancojë ato dhe t’i zhvillojë në të ardhmen, si forcë profesionale e multi-etnike, e cila do të jetë në të mirën e të gjithë qytetarëve të Kosovës.

Si prioritet kryesor sipas tij, është edukimi profesional i burimeve njerëzore brenda FSK-së.

“Jemi në rrugë të mirë. FSK ka ngritur një komision për transformimin dhe modernizimin e FSK-së dhe ai komision ka kryer shumë punë të mëdha. Ne si FSK do të jemi në mbështetje të politikës, për transformim. Por siç dihet kjo është çështje politike. Është tepër me rëndësi që ta kemi një koordinim të mirë ndërinstitucional. Një bashkëpunim me partnerët ndërkombëtar dhe në të ardhmen ta kemi dhe një përafrim me komunitetin serb, sepse kjo është në të mirën e të gjithëve. Në e dimë që në të kaluarën ka ndodhur një luftë, por ajo është e kaluar. Ne duhet të fokusohemi  drejt të ardhmes. Sepse kjo është interes dhe i joni dhe i gjithë qytetarëve të Kosovës. Transformimi i FSK-së është në të mirë të gjithë qytetarëve. Dhe ne këtë mesazh duam që në të ardhmen ta përcjellim tek çdo qytetar i Kosovës.  Me rëndësi  është që komunitetit që është pranuar 163 minoritete, tre prej tyre janë dhe nga veriu i Kosovës, që është një hap i mirë dhe pozitiv”, tha  Berisha.

Ministri Berisha ka folur edhe për rishikim e buxhetit për FSK-në, duke theksuar se për vitin 2018, kemi rritje të buxhetit, në shumën prej 54 milionë.

“Dje e kemi pasur dhe dëgjimin buxhetor për vitin fiskal 2018 me Ministrinë e Financave. Realisht nuk është ai buxhet të cilin ne e presim. Sepse sipas rishikimit strategjik të sektorit të sigurisë, është paraparë që çdo vit fiskal buxheti të rritet për 5 milionë euro. Por përgjigja është se tani për tani ky buxhet është kaq. Në vitin 2018 kemi rritje rreth 3 milionë euro. Derisa buxheti i vitit 2017 ka qenë diku 51 milionë e 35 mijë euro, propozimi është që kjo të arrijë diku 54 milionë euro”, tha ai.

Ndërkaq, anëtari i këtij komisioni nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje (VV), Rexhep Selimi, tha se FSK do ta ketë mbështetjen e tyre për avancimin e kapaciteteve ushtarake të Kosovës, derisa kërkoi nga ministri që ta kenë qasjen e duhur në çështjet buxhetore, e që kanë të bëjnë me FSK-në e sotme dhe procesin e  transformimit të saj në ushtri.

“Mendoj që nga buxheti do të duhej të fillohej serioziteti ose veprimet praktike për avancimin e kësaj force. Tash ndoshta nuk është personale, por përvoja jonë e përbashkët na bën që të kemi të drejtën,  që t’iu shtyjmë sa më shumë në rrugën e avancimit të kapaciteteve ushtarake. Ne njihemi që nga lufta. Në luftë kemi qene krahë për krahë. Ne parlament jemi ballë për ballë. Por kur të vjen puna për formimin e ushtrisë, prapë jemi krahë për krahë. Dhe kjo besoj që është e rëndësishme për ju. Atë çfarë ne iu garantojmë, iu garantojmë një mbikëqyrje të rreptë, e cila ndoshta ndonjëherë do t’iu bezdis dhe është mirë që iu bezdis”, tha Selimi. /KP/Telegrafi/

Exit mobile version