Britania e Madhe paraqiti planin e saj të parë buxhetor pas votimit për largimin nga Bashkimi Europian.
Plani synon përgatitjen ndaj sfidave pas “Brexit” dhe të ndihmojë familjet në vështirësi. Për këtë ka folur ministri britanik i Financave, Philip Hammond.
“Duhet të ruajmë kredibilitetin tonë. Kemi një borxh të madh dhe një deficit të konsiderueshëm në vend prandaj duhet ta përgatisim ekonominë për atë që e pret. Dua të them që ekonomia po përballet me sfida, por kemi hapësira për t’i menaxhuar këto sfida të papritura në vitet e ardhshme. Ajo që është më e rëndësishmja, duhet të përmirësojmë produktivitetin e ekonomisë sonë për të konkurruar në botë”, theksoi Hammond.
Sipas Thesarit, Hammond do të shpallë 1.3 miliard paundë shpenzime të reja për rrugët, si pjesë e planeve të tij, së bashku me bisedimet dyvjeçare për largimin nga BE-ja, që nis në fillim të vitit të ardhshëm.
Hammond shtoi se bisedimet do të përqendrohen tek rregullimet pas largimit të Britanisë nga BE-ja. /Telegrafi/