Një grup i pavarur studimor për çështjet ekonomike thotë se buxheti federal i propozuar nga presidenti Barack Obama ka synime të mira, por nuk është i mjaftueshëm për të ulur borxhin në rritje të vendit.
Përveç disa supozimeve disi optimiste, Komisioni për Hulumtime Ekonomike thotë se propozimet e presidentit janë të qëndrueshme. Por për shkak të atmosferës partiake në Uashington, buxheti mund të mos jetë realist.
I hedhur në 2000 faqe, buxheti i 2016-ës është harta fiskale për dy vjetët e mbetura në detyrë të presidentit Obama dhe më tej. Ai synon nxitjen e mëkëmbjes ekonomike, sigurinë e Amerikës dhe investime për klasën e mesme.
Por me shumën gati 4 trilionë dollarë, ai mbart një çmim të lartë: 561 miliardë dollarë për mbrojtjen, 478 miliardë për projekte të sektorit publik, 526 miliardë për shpenzime jo-mbrojtëse, shkurtime taksash për klasën e mesme dhe arsim të lartë dy vjeçar falas.
Ekonomistja Diane Lim me Komisionin n për Zhvillime Ekonomike në Uashington thotë se ndërsa plani është i lavdërueshëm, ai nuk është realist. “Nuk kam problem me investimet dhe mendoj se në fakt vendi ynë nuk investon sa duhet në ato gjëra që do të nxisin rritjen ekonomike në një periudhë afatgjatë – vetëm se duhen mënyra realiste për të paguar për këtë, përndryshe këto investime nuk do të ndodhin kurrë”, tha Lim.
Buxheti parashikon më shumë se dy trilionë dollarë të ardhura nga rritja e taksave gjatë 10 vjetëve të ardhshme, shumica nga korporatat dhe të pasurit, me të cilat do të financohen nismat e presidentit. Por shumica republikane në Kongres nuk ka gjasa t’i pranojë ato.
Siç është tani, buxheti do ta shtojë borxhin kombëtar me 6 trilionë dollarë të tjerë deri në vitin 2026. /Telegrafi/