Buxheti është instrument financiar i shtetit që ka lindur në kushtet e caktuara shoqërore, politike, ekonomike e sociale. Buxheti është pasqyrë sistematike e të hyrave dhe shpenzimeve të shtetit për një periudhë ta caktuar, përkatësisht për një vit buxhetor. Por, viti buxhetor nuk do të thotë patjetër se duhet të përputhet me vitin kalendarik. Për shembull, Në Francë dhe Gjermani përputhet, por në SHBA viti buxhetor fillon më 1 korrik dhe mbaron me 30 qershor të vitit të ardhshëm, ose në Angli fillon me 1 prill dhe mbaron më 31 mars të vitit të ardhshëm. Meqenëse buxheti është pasqyrë e bilancit të të gjitha nevojave materiale, financiare e sociale të shtetit, atëherë edhe këto nevoja planifikohen dhe caktohen sipas prioriteteve qeveritare për periudhat buxhetore. Prandaj, buxheti ka një rol shumë të rëndësishëm pikërisht si instrument financiar përmes të të cilit rrjedhin ose bëhet rishpërndarja e një pjese të të hyrave kombëtare. Karakteristikat e përbashkëta të buxhetit në të gjitha vendet janë se:
– Buxheti është akt publik,
– Buxheti është njëvjeçar,
– Buxheti është parashikim me plan i të hyrave dhe i shpenzimeve publike, dhe
-Buxheti përmban karakteristikat e caktuara të marrëdhënieve shoqërore, politike, ekonomike e sociale të vendit në të cilin aprovohet.
Prandaj, buxheti në të gjitha shtetet e sotme bashkëkohore është akt juridik, të cilin e nxjerrin organet përfaqësuese. Në këtë akt juridik parashikohen për një vit të hyrat dhe shpenzimet publike të cilat radhiten dhe paraqiten saktësisht në klasifikimin buxhetor, e që më pas sistemohen sipas prioriteteve që bën qeveria e vendit. Për rolin e buxhetit shpjegime japin teoria klasike e liberalizmit dhe teoria bashkëkohore (të cilën e aplikojnë shtetet moderne).
Meqenëse Kosova është duke ecur drejt hapave të një shteti modern, ajo edhe është duke aplikuar teorinë bashkëkohore të buxhetit shtetëror, e cila teori bazohet në atë se shteti sot i merr (përveç funksioneve klasike) edhe disa funksione ekonomike e sociale të vendit. Pra, qeveria e sotme e vendit buxhetin është duke e përdorur si mjet financiar për intervenime në ekonomi dhe jetën sociale, me të cilin orientohen rrjedhat ekonomike e sociale, arrihet ekuilibri makroekonomik në prodhim, shpërndarje, konsum, kursim, investime etj. Buxheti bëhet instrument ekonomik në sferën e zhvillimit ekonomik si një mekanizëm i intervenimit shtetëror në zhvillimin ekonomik, por njëherit edhe mekanizëm i fort për politikat sociale.
Meqenëse Kosova është e ballafaquar me probleme të shumta sociale (papunësia, varfëria, asistenca sociale, pensionet e ulëta, nevojat sociale të familjeve të dëshmorëve, invalidëve të luftës, mbrojtja e domosdoshme sociale e ish luftëtarëve të UÇK-së, të përndjekurve politikë etj.), është e natyrshme që qeveria synon të përmirësoj këto ç’rregullime sociale. Por, po ashtu është e natyrshme që, për shkak të rrethanave ekonomike të krijuara në ekonominë vendore dhe atë ndërkombëtare (ngritja e çmimeve të shportës konsumatore të qytetarit – CPI), qeveria të mendoj që, jo vetëm të ruhet standarti jetësor i popullatës, por edhe më tepër të përmirësohet.
Gjatë fushatave parazgjedhore ishte krejt normale që të jepen premtimet elektorale për problemet e shumta ekonomike, sociale dhe të tjera që e preokupojnë shoqërinë, nga të gjitha partitë politike që kishin mësyrë pushtetin. Dikush premtonte 50% rritje pagash (posaçërisht për pagat e mësimdhënësve), dikush tjetër e “hipte pazarin” deri në 70%, e kishte të tillë që shkonin në “objektivin e tyre” deri në 100% ngritje pagash. Natyrisht, që asnjë nga këta nuk kishte bërë llogaritë paraprake buxhetore.
Si edhe konkurrentët e tjerë politikë që shpalosnin programet e tyre para elektoratit, edhe Kryeministri Thaçi bëri të njëjtën gjë. Ai premtoi se, nëse sovrani (populli) do t’i jepte edhe njëherë besimin për të qeverisur me vendin në një mandat tjetër katërvjeçar, PDK dhe Ai si i mandatuar për Kryeministër (që edhe populli e bekoi në këtë detyrë), do të bëjë ngritjen e pagave në të gjithë sektorët publikë, në mënyrë që jo vetëm të ruhet mirëqenia sociale, por edhe të ngritet më tepër. Kjo ishte pjesë e programit të tij elektoral që vendi, krahas integrimeve ndërkombëtare dhe liberalizimit të vizave për qytetarët gjatë mandatit të tij qeverisës, edhe mirëqenia sociale dhe përmirësimi i standartit jetësor ishin objektiva tjera të tij dhe PDK-së. Kryeministri Thaçi premtoi se këtë do ta bëjë nga janari i këtij viti, natyrisht duke besuar gjithnjë se pas zgjedhjeve të 12 Dhjetorit do të bëhet menjëherë pranimi dhe certifikimi i tyre dhe se do të konstituoheshin institucionet të cilat do të merreshin me realizimin e objektivave të parashikuara. Kujtoj se nuk është më tashmë “kohë marketingu dhe fushate politike” (ajo tashmë është e kaluar), sepse PDK dhe Thaçi i kanë tashmë fituar zgjedhjet dhe se po fillojnë jetësimin e tyre praktik të premtimeve, duke i shëndërruar në vendime shtetërore.
Erdhi janari dhe koha për realizimin e premtimeve; filluan dyshimet e pëshpëritjet se a do të mundet Kryeministri të bëj realitet premtimet që kishte dhënë gjatë fushatës paraelektorale. Dhe në mbledhjen e parë të këtij viti Qeveria e Kosovës vendosi që të bëj ngritjen e pagave për këtë vit buxhetor. Filluan menjëherë akuzat nga ata (që kishin harruar se edhe ata kishin bërë planet për ngritje pagash deri edhe në 100%) se kjo është e kundërligjshme dhe antiligjore, sepse këtë duhej ta bënte parlamenti (i cili ende nuk është konstituuar për shkak të rrethanave të njohura). Por, nuk po iu “bie ndërmend” se në çdo vend të botës vendimet qeveritare me të lehtë shëndërrohen në trajta ligjore parlamentare, ngase ata që përbëjnë qeverinë kanë edhe shumicën e ulseve parlamentare, kështuqë nuk është e vështirë që objektivat dhe vendimet qeveritare të marrin formën e njëjtë edhe në parlament. Dhe, nga ana tjetër, “harruan” se ata (poashtu kishin premtuar), dhe se nuk e kishin pyetur vetveten se a do të ishte kjo më pas kundërkushtetuese dhe kundërligjore (nëse do të merrnin pushtetin dhe do të realizonin premtimet e tyre elektorale). Në vend se të mirëprisnin këto vendime (sepse kjo ngritje pagash nuk po bëhet vetëm për një parti – elektorat, por për të gjithë popullatën e vendit që janë pa dallim përkatësie të punësuar nëpër këta sektorë) dhe të pyesnin ose debatonin se si do të realizohen këto, filluan me sharje të të gjitha llojeve në drejtim të fituesit.
Natyrisht që këto janë sfida për Kryeministrin dhe Qeverinë e tij në këtë mandat, sepse ekziston frika e zhytjes së vendit në deficite buxhetore, nëse shpenzimet buxhetore nuk shkojnë konform rregullave ekonomike dhe specifikave makroekonomike të vendit. Por, ashtu si Kryeministri ka arsyetuar gjatë shpalosjes dhe marrjes së vendimeve qeveritare, edhe unë mendoj se të njëjtat burime mund të bëjnë “kompensimin” e 100 milionë eurove (sa llogaritet se do të marrin kostot përfundimtare këto ngritje), dhe se do të ruhet ekuilibri makroekonomik i vendit. Sepse, të hyrat nga ekonomia informale (që sipas disa parashikimeve dhe llogaritjeve përfshijnë shifrën midis 400 – 500 milionë euro në vit), efikasiteti më i lartë i grumbullimit të të hyrave fiskale nga ana e Administratës Tatimore (që edhe këtu çalon në masë të konsiderueshme), luftimi i evazioneve fiskale të të gjitha llojeve, kursimet nga shpenzimet e panevojshme të mallrave dhe shërbimeve në të gjithë sektorët qeveritarë përmes një disipline më të fortë financiare, efikasiteti më i lartë edhe në inspektoratin e punës duke luftuar punën informale edhe nëpër firma që punësojnë shumë më tepër të punësuar se sa në të vërtetë ata kanë të paraqitur (edhe kjo sjell ngritjen pozitive fiskale), nxitja apo stimulimi i diasporës për të orientuar kapitalin e tyre financiar në drejtim të investimeve –prodhimit, e më pak konsumit joproduktiv, si dhe format e tjera që kujtoj se Kryeministri i ka në programin e tij qeverisës në periudhën e ardhshme katërvjeçare, kamë bindjen se nuk janë ndonjë problem që sjell shumë frikë për mosrealizim, por kërkohet vetëm profesionalizëm në qeverinë e ardhshme dhe rifreskime programesh produktive ekonomike e sociale, e po ashtu edhe implementim të suksesshëm të instrumenteve të politikave ekonomike.
Po ashtu, një brengë ishte shfaqur edhe në “reagimet që FMN-ja do t’i ketë me këtë rast”. Konsideroj se ne jemi shtet sovran dhe marrim vendime sovrane. Kjo është e para. Por, nga ana tjetër, ne nuk jemi vendi i vetëm në botë që kemi marrë kësi vendimesh pa u konsultuar me FMN, BB dhe institucionet tjera relevante financiare ndërkombëtare. Natyrisht, që ata shprehin shqetësimet e tyre se si do të mund të kryhen obligimet ndaj tyre dhe se si shkojnë agregatët makroekonomikë, nëse ne nuk ndjekim politikat e tyre dhe shtrëngesat për reduktime buxhetore që ata rekomandojnë. Por, gjatë takimeve me ta (që kujtoj se nuk janë të “njëafatshme”, por se ato bëhen në kontinuitet) duhet sqaruar se cilat janë objektivat tona qeveritare makroekonomike e sociale, dhe se natyrisht që edhe janë të lejueshme bisedimet për riprogramime të reja nga specifikat e krijuara të partnerëve financiarë). Është jo vetëm normale, por edhe e moralshme që ne të jemi bashkëveprues me faktorin ndërkombëtar, ngase nuk ka më ekonomi izolacioniste e të mbyllur, por se edhe ne dëshirojmë që të jemi pjesë e ekonomisë ndërkombëtare, dhe se planifikojmë të ngritemi edhe më tepër. Dhe, mendoj se në këtë drejtim do të kemi përkrahjen, jo vetëm të FMN-së dhe BB-së, por edhe të mekanizmave tjerë ndërkombëtarë ekonomikë, financiarë e politikë ndërkombëtarë. Ngase, duhet të heqim mendjen se mund të gjallërojmë me “ekonomi donatorësh”, por duhet të krijojmë ekonominë tonë substanciale, në raport me rrethanat dhe specifikat tona të resurseve materiale e humane vendore.
Sepse, tek e fundit kjo është edhe në të mirë të vendit, se nëse nuk përmirësohet standarti jetësor i popullatës, atëherë paraqitet fenomeni i kërkesës së një “jete më të mirë jasht vendit”, që konsideroj se edhe faktori ndërkombëtar nuk është i interesuar për këtë. Prandaj, duhet më një logjikë të arsyeshme i gjithë spektri politik, ekonomik, akademik e social të gjejnë gjuhë të përbashkët dhe të ecim drejt zhvillimit ekonomik e social të vendit, e të mos shkohet sipas logjikës “për inati të së resë, më vdektë djali!”.
Edhe një argument tjetër shkencor që mendoj se Kryeministri Thaçi e ka aplikuar me këto vendime qeveritare është ai se janë respektuar me këtë rast principet e praktikës financiare të buxhetit (që janë tetë dhe nuk e shoh të domosdoshme të bëj elaborimin e tyre të tërësishëm). Por, se më duhet të bëj interpretimin e Principit të katërt të buxhetit – Principi publik i buxhetit. Ky princip ka të bëjë me atë se paraprakisht duhet të bëhet njoftimi i obliguesve tatimorë dhe qytetarëve të tjerë me lartësinë e mjeteve buxhetore, me llojin e të hyrave dhe me qëllimin e shpenzimit të tyre. Qëllimi i këtij principi është njoftimi i masave të gjera popullore me veprimtarinë dhe me gjendjen financiare të shtetit, mënyrën e grumbullimit të të hyrave shtetërore dhe rishpërndarjen e tyre. Meqenëse kjo procedurë kërkon që të jetë publike, konsideroj se Kryeministri Thaçi këtë e ka bërë disa herë (që nga fushata paraelektorale e deri tek marrja e vendimeve për rishpërndarje të buxhetit në drejtim të mirëqenies sociale). Ndër të tjerash, principi publik i buxhetit mundëson që obliguesit tatimorë dhe publiku në tërësi të informohen për qëllimin e shpenzimit të të ardhurave të tyre të cilat i kanë ndarë në formë të tatimit për financimin e shpenzimeve publike, si dhe gjetjen e fondeve për ndryshime të paparashikuara (nganjëherë) buxhetore, në mënyrë që të ruhet ekuilibri makroekonomik i vendit. Kjo ndikon në mënyrë pozitive, jo vetëm tek obliguesit tatimorë, por edhe në publikun e gjerë.
Dhe, krejt në fund, mendoj dhe jam plotësisht i vetëdijshëm dhe i sigurt se këtyre vendimeve qeveritare i janë gëzuar të gjithë, pa marrë parasysh se çfarë përkatësie politike kanë (sepse këto nuk janë vendime që i përkasin një partie, por janë vendime në të mirë të mirëqenies sociale të të gjithëve dhe për ruajtjen e standardit jetësor). Këtyre vendimeve iu gëzua edhe BSPK, që në tërësi përkrahu vendimet e Kryeministrit Thaçi, duke aluduar që të realizohen sa më shpejtë dhe duke ofruar dorën e bashkëpunimit, sepse janë të vetëdijshëm se mirëqenia sociale e qytetarëve është në objektiv të qeverisë së ardhshme. Këtyre vendimeve iu gëzuan të gjithë përfituesit që janë të punësuar në të gjithë sektorët ku do të ketë ngritje pagash, e që janë të anëtarësuar në të gjitha partitë pa dallim, por se u intereson mirëqenia e tyre sociale. Këtyre vendimeve nuk iu gëzuan vetëm paria e partive të tjera që nuk fituan pushtetin; ata trumbetojnë negativisht sepse i kanë punët e tyre të mirërregulluara në aspektin ekonomik e social, e mendojnë se si në mënyrë më të lehtë dhe më të “padhembshme” të vijnë në pushtet, duke “vajtuar buxhetin”, që sipas tyre nuk po shkon konform rregullave dhe principeve ekonomike e sociale.