Kuvendi i Kosovës të enjten ka miratuar Buxhetin për vitin 2024, prej mbi 3.3 miliardë euro.
Ky buxhet do të jetë i paraparë për disa dikastere të cilat janë: për mbrojtje dhe siguri, për arsim, infrastrukturë, për energji, për komuna, për lehona dhe fëmijë, për infrastrukturë sportive për lojërat Mesdhetare 2030 dhe për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.
Por si e ka planifikuar Qeveria e Kosovës ndarjen buxhetore për vitin e ardhshëm?
Në kuadër të planifikimit bëhet e ditur se 860 milionë euro janë ndarë për infrastrukturë dhe kapacitete të reja energjetike dhe 742 milionë euro për komuna, prej të cilave 635 milionë euro grante nga Qeveria.
Ndërkaq, 370 milionë euro për mbrojtje dhe siguri dhe 370 milionë euro për arsim, përfshirë grantin për komuna.
Po ashtu 95 milionë euro për shtesat për lehona dhe fëmijë dhe 58 milionë euro për infrastrukturë sportive për lojërat Mesdhetare 2030.
Gjithashtu 29 milionë euro janë ndarë për masa të punësimit dhe 3 milionë euro për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.
Ndryshe, kryeministri Albin Kurti ka thënë se Buxheti prej mbi 3.3 miliardë euro, është për 35% më i lartë se buxheti i mëhershëm.
“Kalon Buxheti për vitin 2024. Edhe këtë vit, për të tretin me radhë, buxheti miratohet në muajin dhjetor ashtu edhe siç duhet. Falënderoj deputetët dhe deputetet e Kuvendit të Republikës për votën, kontributin dhe mbështetjen e tyre”, tha Kurti.
Tutje tha me këtë buxhet forcohet mbrojtja e Kosovës, rritet siguria e nxitet punësimi.
“Po rrisim sigurinë, nxisim punësimin në tregun e punës, shtojmë kujdesin për familjet, mbështesim reformat që kemi filluar dhe mundësojmë zhvillimin e mëtejmë ekonomik dhe ngrisim mirëqenien e qytetarëve në vend”, u shpreh Kurti. /Telegrafi/