Telegrafi

Buxheti 2010, mbi 400 milionë investime kapitale

Rreth 35 për qind e buxhetit është paraparë për shpenzime kapitale, rreth 110 milionë euro janë paraparë për sektorin e transportit, që përfshin edhe fillimin e autostradës që lidh Shqipërinë me Kosovës, rreth 50 milionë euro janë ndarë si subvencione për sektorin e energjisë, respektivisht furnizim më të mirë me energji, 27 milionë për ndërtimin e shkollave të reja, ndërsa parashihet edhe rritje pagash prej 6 për qind.

Projektbuxheti i Kosovës për vitin 2010 është 1.46 miliard euro, apo 4 për qind më i lartë se buxheti i këtij viti. Zyrtarët qeveritarë kanë vlerësuar se ky projektbuxhet do të garantojë stabilitet financiar, ndërkaq ekspertët e ekonomisë vlerësojnë se ai do të jetë buxhet i mbijetesës, ndërkaq sfidë për Kosovën do të vazhdojë të mbetet zhvillimi ekonomik.

Projektbuxheti i vitit të ardhshëm në vlerë 1.4 miliardë euro, siç është miratuar nga qeveria, nuk do të garantojë zhvillim ekonomik për vendin, megjithëse është paraparë që të jetë për rreth 4 për qind më i lartë se buxheti i këtij viti.

Pas miratimit nga qeveria, projektbuxheti do t’i dërgohet Kuvendit të Kosovës për shqyrtim dhe miratim. /Telegrafi/