Telegrafi

Buxheti 2010, Berisha: Do ndërtoj 5 tunele

Për Kryeministrin Berisha është shumë e rëndësishme mirëqenia ekonomike e shqiptarëve dhe në këtë mënyrë vendosi si prioritet kryesor vijimin e ndërtimit të rrugëve, si dhe rritjen e pagave e pensioneve deri në masën 15 për qind. I gjithë projekti, sipas Berishës, do të arrihet falë planit për më shumë të ardhura, që prekin nivelin e 361 miliardë lekëve.

Duke u ndalur te rrugët, Berisha tha se "do të ndërtojmë aksin e Arbrit, bashkë me dy tunele, për t‘i dhënë mundësi transportit të shpejtohet. Po ashtu kemi në plan të ndërtojmë edhe tre tunele të tjera, një në Elbasan dhe dy në aksin Berat-Tepelenë". Kryeministri e bëri këtë premtim me ndërgjegjen e plotë se do të jetë e vështirë, për dy arsye të pranuara nga vetë ai.

"Do t‘i ndërtojmë tunelet edhe pse kushtet gjeologjike nuk janë të duhura, si në Rrugën e Arbrit, ashtu edhe në Elbasan. Do t‘i ngremë këto tunele, edhe pse kushtojnë shumë, pasi ne nuk mund t‘i lëmë shqiptarët të vuajnë", theksoi Berisha.

Ndërkaq, pas Kryeministrit qëndronte ministri i Transporteve, i cili dëgjonte me vëmendje, duke mbajtur shënime. Kryeministri foli edhe për rritjen e pagave deri më 14 për qind për mjekët dhe infermierët, ndërsa në politikën e rrogave të larta do të përfshihen edhe gjykatësit e prokurorët.

"Nuk do të mbeten pas as pensionistët, të cilëve do ua rrisim të ardhurat deri në 10 për qind", tha Berisha. Kryeministri përmendi edhe faktin e uljes së shpenzimeve, duke marrë si shembull vendimin për heqjen e makinave të zyrtarëve të lartë. "Ju garantoj që ato 3 miliardë lekë të kursyera nga makinat e hequra të zyrtarëve, do t‘i kthejmë në rroga e pensione", tha Berisha./shqip/