Telegrafi

Button fiton në Kinë

Starti i garës ishte tejet interesant pasi që menjëherë ndryshoi renditja dhe gjithë kjo për shkak të kushteve jo të mira atmosferike. Edhe gjatë garës pati ndryshime drastike në renditje.

Për çdo lëvdatë ishte Lewis Hamilton, i cili një nga një tejkaloi kundërshtarët për t’u renditur i dyti prapa kolegut të McLarenit, Button. I treti përfundoi Nico Rosberg që në një pjesë të konsiderueshme të garës ishte lider.

Fernando Alonso doli i katërti kurse, ngasësi që filloi nga pole pozicioni Sebbastian Vettel përfundoi vetëm i gjashti. Shtatë herë kampioni i Formulës 1, Michael Schumaher, përfundoi në pozitën e dhjetë.

Me këtë fitore, Button merr kreun me 60 pikë, i ndjekur nga piloti i Mercedes GP, Nico Rosberg (50 pikë), ndërsa Fernando Alonso i Ferrarit renditet i treti (49 pikë).

Sa i përket renditjes së konstruktorëve, prin McLareni (109 pikë), i ndjekur nga Ferrari (90 pikë) dhe Red Bulli (73 pikë). /Telegrafi/