Gerard Butler kishte përjetuar momente emocionale gjatë xhirimit të filmit “Hunter Killer”, mirëpo përvoja e tij ishte bërë e dhimbshme kur mësoi se bashkaktori Michael Nyqvist kishte ndërruar jetë.
Aktori skandinav vdiq në qershor të vitit 2017 në moshë 56 vjeçare nga kanceri i mushkërive, ndërsa “Hunter Killer” (me regji të Donovan Marsh) ishte ndër filmat e fundit që realizoi para vdekjes.
Butler e ka kujtuar kolegun e tij si një person të dashur dhe ka thënë se puna me të është një ndër arritjet më të mëdha në karrierë.
“Ishte një prej përvojave të mia më të preferuara si aktor, sepse më pëlqejnë aktorët skandinavë në përgjithësi, kam punuar me disa deri më tash dhe më pëlqejnë se janë shumë shakatarë”.
“Ata kanë aftësi për t’i shfrytëzuar rastet dhe për të shfaqur shumë forma gjatë një performance, ndërsa i tillë ishte edhe ai (Michael Nyqvist). Vërtet mund ta ndjeja bukurinë e raportit tonë dhe miqësinë që zhvillohej”, citon Metro.co.uk fjalët e Butler.
Aktori skocez ka treguar se momenti kur e kishte marrë vesh se Nyqvist ka ndërruar jetë ka qenë shumë i rëndë për të.
“Në ditën kur e bëmë një testim në ekran, gjë që ishte hera e parë kur e pashë gjithë filmin para një publiku, ishte dita kur ai ndërroi jetë, prandaj ishte një përvojë shumë e dhimbshme”, ka kujtuar aktori.
Michael Nyqvist ka qenë një aktor suedez, i cili ka qenë i njohur edhe ndërkombëtarisht, ndërsa ka luajtur në filma shumë të suksesshëm, si Mission: Impossible – Ghost Protocol (në rolin e Kurt Hendricks) e John Wick (në rolin e Viggo Tarasov). /Telegrafi/