Telegrafi

Butikofer pas rezolutës së PE-së: Sa më shumë vende të dënojnë sulmin në Banjskë, e rëndësishme të ndërrohet kursi i gabuar politik i Borrellit dhe Lajçakut

Parlamenti Evropian ka miratuar të enjten një rezolutë, ku dënohet sulmi terrorist në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, në të cilin mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.

Deputeti gjerman i Parlamentit Evropian, Reinhard Butikofer pas miratimit të rezolutës, ka shkruar në platformën “X” se do të ishte e rëndësishme që sa më shumë vende të miratonin rezoluta të tilla.

“Do të ishte e rëndësishme që sa më shumë parlamente të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, të miratonin pozicione të ngjashme të forta në mënyrë që të ndihmonin në korrigjimin e kursit të gabuar politik të Borrellit, Varhelyit dhe Lajçakut”, ka shkruar ai.

Lexo po ashtu PE me rezolutë i bën thirrje vendeve të BE-së që të marrin masa kufizuese ndaj Serbisë, nëse dëshmohet se ka lidhje me sulmin në Banjskë

Ndryshe, Parlamenti Evropian u ka bërë thirrje Komisionit Evropian dhe Këshillit Evropian që të ndërmarrin masa ndaj Qeverisë së Serbisë nëse hetimet dëshmojnë për lidhje të drejtpërdrejtë të shtetit të Serbisë me sulmin në Banjskë, ose nëse autoritetet e Serbisë nuk do të tregojnë vullnet për bashkëpunim të plotë në procesin e hetimeve.

“Ftohet Këshilli që të miratojë masave të shënjestruara restriktive, ngrirjen e pasurisë dhe ndalimin e udhëtimeve për aktorët destabilizues në veri të Kosovës dhe liderët e rrjeteve kryesore të krimit të organizuar. Në këtë kontekst, ftojmë Këshillin që të ndjekë shembullin e Shteteve të Bashkuara për vendosjen e masave të shënjestruara kundër Milan Radoiçiqit”, thuhet në rezolutë.

Miratimi i kësaj rezolutë është mirëpritur nga Kuvendi i Kosovës. /Telegrafi/