Shpesh gjatë historisë demokracia është gjetur e përlyer me pasionin e politikës, e cila në mënyrë më shtazarake e ka rrënuar ngadalë, por jo pavrejtshëm dinamikën dhe procesin e forcimit të institucioneve, duke shkaktuar kështu një lëkundje vullkanike në themelet e shtetit. Me këtë nuk do të thotë se demokracia është ushqyer nga instinktet e pasioneve politike, por se ajo ka bart në kurrizin e saj çdo gjë sa që edhe “kafshët me të çmendura politike”, kjo është një e vërtetë që e ka treguar vazhdimisht procesi i ecjes së shteteve dhe popujve gjatë historisë, çka do të thotë se nuk është një shpikje e re brenda trupit të demokracisë dhe sistemit shtetëror.
Vendet që më së vështiri e kanë përjetuar kalimin nga regjimet e egra në demokracinë liberale janë ato që edhe pse e kanë pasur demokracinë brenda vullnetit te tyre historik nuk kanë arritur ta aplikojnë dhe ta vënë në praktikë, duke e shtrirë atë në të gjitha sferat e kombit dhe shtetit. Kjo nuk do të thotë se ato nuk kanë dashur t’i thonë lamtumirë regjimit, por procesi dhe shtypja i ka zënë brenda rrjetit të regjimit të egër dhe nuk i ka lënë të hedhin fare frymën e demokracisë dhe lirisë as hapësirën e tyre të debatit mendor dhe publik. Kjo zaten ka lënë edhe pasojat e tmerrshme më pas, pasi që ka rezultuar se demokracia brenda vullnetit të tyre historik është keqkuptuar pas thënies lamtumirë të regjimit barbarë dhe diktatorial. Dalja në fushën e re të demokracia nga ferri i regjimit i ka lënë ata akoma duke kërkuar “busullën e nevojshme” për të drejtuar veten dhe vendin drejt rrugës së vërtetë të demokracisë liberale, shtetit juridik e evropian dhe zhvillimeve të gjithëmbarshme të tij.
Sidoqoftë ngjarjet e fundit të përcjella me tensione dhe depresion politik në shtetin Shqiptar kanë shfytyruar tërë procesin politik në vend, por edhe kanë dal në shesh shumë sjellje paradoksale dhe absurde të cilat kanë ardhur si rezultat në njërën anë i mungesës së dialogut të mirëfilltë pozitë -opozitë dhe në anën tjetër nga mungesa e vetëdijes së opozitës si faktor i rëndësishëm dhe konstruktiv i korrigjimit të qeverisjes, por edhe i mbështetjes në rrugëtimin e përbashkët evropian.
Ky depresion politik i cili është mbledhur që një kohë të gjatë për shkak të konfliktualitetit politik në mes opozitës dhe pozitës në shtetin Shqiptar, lojërave të shumta të cilat janë orkestruar nga dy anët, mbyllja e debatit, heqja dorë e ushtrimit të funksionit të opozitës si fuqi parlamentare, kontrolluese, dhe hyrja në dialog me kërkesa absurde dhe jo realiste, ka rezultuar në një shpërthim emocional të nxitur po nga ky depresion dhe këto pasione të egra për pushtet.
Shfryrja e pasionit dhe emocioneve të opozitës në këtë mënyrë, duke tensionuar rrethanat politike në vend me anë të demonstratave të nxitur nga ta, lënë të kuptohet se ata si opozitë nuk e kanë kuptuar apo nuk duan të kuptojnë demokracinë dhe natyrën e institucioneve shtetërore. Me shfryrje dhe me nxitje për dhunë të demonstruesve opozita e ka dëmtuar më së shumti pozicionin e saj politik, sepse ka harruar të shfrytëzoj të drejtën e saj demokratike dhe parlamentare si opozitë konstruktive dhe korrektuese, por është marrë me sipërfaqen e problemit, duke harruar se ajo nëse dëshiron t’i thotë një qeverisje të korruptuar lamtumirë, atë mund ta bëjë duke e argumentuar vazhdimisht dhe duke e lënë në moralin e qeverisësve dhe në organet e drejtësisë për të vendosur me përgjegjësi për fatin e të korruptuarve dhe gjithashtu për fatin edhe të qeverisjes më pastaj nga faktori politik dhe institucionet relevante.
Po ashtu si rezultat i këtyre tensioneve dhe i depresionit politik, por edhe si rezultat i mungesës së dialogut të shëndetshëm dhe të frytshëm, palët konfliktuoze kanë krijuar hendekun në mes demokracisë dhe pafrytshëmërisë së proceseve politike, pastaj në mes të kuptuarit të demokracisë dhe keqkuptimit të saj të madh. Çdo herë shtetet që nuk kanë arritur të kuptojnë thelbin e demokracisë dhe natyrën e politikës së vërtetë dhe shtetit të së drejtës kanë rrëshqitur lehtë në iluzione dhe pasione kafshërore saqë edhe po t’i lante një liqen apo deti të metat dhe mëkatet e proceseve negative të zhvilluara si rezultat i keqkuptimit të demokracisë dhe mungesës së fryteve të vërteta politike për ta shpie vendin me shpejtësi të dritës në oborrin e kombeve demokratike, dhe në familjen e lashtë evropiane, do të nevojitej një kohë për të vënë bazën dhe themelet e secilës pjesë të çoroditur të proceseve politike. Demokracia nuk është sistem vrastar, por është një sistem mundësish, udhëheqje, vullneti nga populli që e bart në duar të zgjedhësve fatin e drejtimit të anijes së shtetit, demonstrimi i mendimeve të popullit në nivelin institucional etj, etj.
Pra sulmi ndaj demokracisë dhe institucioneve është sulm më i rëndë që i bëhet pikës më nervaligjike të sistemit qeverisës të vendit, po ashtu dhuna apo vrasjet e demonstrueseve nga ana e institucioneve të rendit është jodemokratike, është marrëzia më e madhe dhe plaga më e rëndë e demokracisë nga ana e shtetit dhe administratës së tij. Vetëm vendet që nuk kanë kulturë demokratike dhe jetojnë në mungesë të saj shfaqin sjellje të çmendura si ndaj institucioneve ashtu edhe ndaj popullit të tij, apo ndaj vetvetes së tij. Apo në lidhje më këto re të errëta mbi shtetin Shqiptar dhe këto depresione politike më duhet të citoj një varg nga poezie tw poetit tonë të madh, dijetarit dhe politikanit, Theofan Stilian Noli: ”pse e ke synë të trubulluar e rent kaluar mi t’zeza re? Pse të pikojnë lottë të zeza, lottë të zeza posi rrëke?…”.
Nga kjo duhet nënvizuar se nuk mbrohen institucionet e dala nga populli me artileri kundër vetë popullit, e as nuk sulmohen institucionet e shtetit të dala nga vullneti i popullit, pra i tyre, por ato mbrohen me politikë të mençur dhe dialog të shëndetshëm në mes pozitës dhe opozitës, por edhe duhet të respektohen nga populli si institucione të dala nga vullneti i tyre sovran. Sepse, duhet ditur se të gjitha institucionet janë të dala nga populli dhe për popullin, dhe nëse ato janë të dala nga populli, atëherë dhuna ndaj popullit është dhunë ndaj vetë vullnetit të tyre dhe demokracisë dhe po ashtu sulmi ndaj institucioneve është sulm ndaj demokracisë dhe vullnetit të sovranit, por edhe mendimit të tij të zgjedhjes së përfaqësuesve të tij.
Megjithatë, nëse një vend është në tension dhe në depresion të madh politik, atëherë institucionet shtetëror shpesh kanë qenë po aq të mundshme për t’u përgjigjur egërsisht çdo mllefit opozitar të shfaqura herë pas herë edhe me anë të demonstratave të dhunshme apo mospajtimeve popullore si llojet e regjimeve të tjera jodemokratike, ndërsa të gjitha këto veprime që nuk janë demokratike kanë qenë veçanërisht të pasuksesshme për shkak të ngulfatjes së proceseve pozitive dhe mbytjes së dialogut, por edhe të fryteve të përbashkëta politike pozitë-opozitë.
Tani është koha që të merren vendime të rëndësishme për një të ardhme të mirë të Shtetit Shqiptar, por edhe duke ecur së bashku pozitë-opozitë në proceset politike dhe integruese. Do të ishte e dëmshme dhe absurde përsëritja e gabimeve të njëpasnjëshme, pra me një fjalë duhet hequr dorë nga zakonet e këqija, ashtu që të ecet drejt qëllimit dhe ardhmërisë së sigurt, të kombit. Kjo do të jetë e mundur vetëm duke ndryshuar rrënjësisht. Kështu që tani është tepër e rëndësishme që palët të ulen dhe t’i mbyllin derën pasioneve dhe instinkteve për pushtet dhe të fillojnë dialogun e shëndetshëm që prodhon edhe një proces të shëndosh politik, ashtu që vendi të ecën në binarët e tij jetësor duke mos iu shmangur rrugës së zhvillimeve, forcimit të institucioneve demokratike dhe procesit të integrimit në unionin evropian.