Tre pikët e para në kualifikueset e Evropianit të 21-vjeçarëve e kanë entuziazmuar trajnerin Alban Bushi. Suksesi 3-2 i kombëtares Shpresa në Islandë ishte një provë se skuadra ka cilësi, me drejtuesin e stolit që vlerëson lojën e skuadrës, por edhe elementët premtues të së ardhmes.
“E rëndësishme është që kemi krijuar raste, edhe në ndeshjen e parë edhe ndaj Irlandës. Por, ndonjëherë shpërblehesh kur mundohesh dhe krijon raste. Nuk shpërblehesh kot. Për këtë jam edhe më i lumtur, sepse bëm një lojë shumë të mirë, një paraqitje fantastike. Nuk i lamë hapësira kundërshtarëve”.
“Kundërshtarët i kishim pak të vështirë ti analizonim përpara ndeshjes, sepse analizuam vetëm një ndeshje të përpara gjashtë muajve me Gjeorgjinë dhe është e vështirë. Menduam që topin ta luanim gjithmonë poshtë, ndryshe nga sa ndodhi në Irlandë, ku provuam topat e gjatë. Sot vajti gjithçka mirë. Luajtëm 4-4-2: mesi funksionoi shumë mirë, krahët hapeshin. Jam i kënaqur sepse skuadra u paraqit mirë në lojë dhe kemi shumë lojtarë premtues për ekipin e parë”.
“Tre golat e pësuar nga kuqezinjtë, në po kaq ndeshje të luajtura tregojnë se skuadra ka ende vend për përmirësim. Diçka mëse normale kur kujton se lojtarët e Shpresave luajnë ndaj rivalëve dy vjet më të mëdhenj. Tre gola në goditje standarde? Kam gjithë kohën që u kërkoj lojtarëve të mos shkaktojnë faull. Goli i dytë u pësua shumë lehtë. Problemi lindi që në momentin e shkaktimit të faullit. Me Irlandën shkaktuam shumë faulla, sot më pak. Pjesa më e madhe e ekipit është e ditëlindjes 98, pjesa më e madhe janë pjesë e ekipit edhe për edicionin e ardhshëm. Po luajnë me kundërshtarë dy vjet më të mëdhenj. Të tillë ishin Islandezët, të cilët janë edhe në mesin e sezonit, por sërish ne e dominuan ndeshjen.”
Bushi tregoi edhe si e motivoi skuadrën përpara ndeshjes, duke vlerësuar edhe rritjen e cilësisë në skuadrën Shpresa.
“Pas analizave gjatë gjithë javës, përpara ndeshjes thuajse nuk u fola fare djemve. U thashë vetëm pak fjalë: ‘do ta fitoni këtë ndeshje, jeni më të mirë se ata. Islanda nuk ka as Messi dhe as Ronaldo’. Ndihesh krenar që drejton djem të tillë, sepse kjo është gjëja më e rëndësishme. Natyrshëm që nevojitet edhe kualiteti, të cilin Shqipëria ka nisur ta ketë”.
Pas festës në Islandë, trajneri i 21-vjeçarëve përqendrohet te dueli i radhës, pikërisht përballë nordikëve, këtë herë në shtëpi.
“4 Shtator data fatsjellëse, si me Greqinë? Nuk është e rastësishme kjo datë. Por, tani shpresojmë të muaji tjetër, pasi në Tetor na vjen Islanda në shtëpi. Të shijojmë këtë fitore që arritëm dhe të mendojmë për ndeshjen tjetër”.