Analisti Andi Bushati, i ftuar në “Rubrikën e Opinionit” në studion e lajmeve në News24, foli për protestën e opozitës dhe analizën që i bëri kryeministri Edi Rama pak minuta më parë në “Komunikimin Javor” në faqen e tij në Facebook.
Bushati u shpreh skeptik me efektivitetin e protestës së tejzgjatur të PD-së, si dhe tha që zgjedhjet në Shqipëri këtë herë do t’i ngjajnë zgjedhjeve të Putinit në Rusi dhe të Erdoganit në Turqi. Kjo pasi, sipas Bushatit, “Rama ka blerë jo vetëm mediat, por të gjithë anti-korpet pranë tij”.
Lidhur me “Komunikimin Javor” të Ramës, Bushati tha se kryeministri pavarësisht se shfaqej si i qetë, nuk ishte aspak i tillë pasi çalonte në argumentet e tij.
“Dikush që përdor tri argumenta që çalojnë në themel, nuk mendoj se është i qetë, pavarësisht nga pamja. Huazoi një tezë që e kemi dëgjuar nga Taulant Balla, që opozita bën protestë se nuk do vettingun. Argumenti tjetër është paralelizmi që bëri me 21 janarin. Është pika më e fortë e Ramës që thotë se në fund të fundit këtu protestuesit dalin të lirë dhe jo si në 21 janar, por edhe këtu çaloi se demonstruesit e djeshëm nuk ishin si të 21 janarit, pasi ata sulmuan. Argumenti tjetër është zhvlerësimi i zgjedhjeve të lira. Ai bën sikur punët janë vaj dhe zgjedhjet nuk vidhen”, ka thënë Bushati.