Ish-ministri shqiptar i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati ka reaguar pas arritjes së marrëveshjes mes Kosovës e Serbisë në Ohër.
Bushati me anë të një shkrimi në Facebook, ka thënë se Kosova ka dëshmuar vullnet për t’i nënshkruar dy dokumentet, derisa refuzimi i Serbisë për ta nënshkruar këtë marrëveshje nuk dëshmon përkushtim të njëmendtë në këtë proces.
Sipas tij, Kosova i ndihmoi partnerët ndërkombëtarë që “gabimisht mendojnë se përkëdheljet ndaj Serbisë dhe jo rrethimi i saj nga histori suksesi, është rruga e shkëputjes së saj nga Rusia”.
“Takimi i Ohrit mes Kosovës e Serbisë i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian përfundoi me miratimin e planit të zbatimit të marrëveshjes të rënë dakord më 27 shkurt. E përbashkëta e të dy dokumenteve është mungesa e nënshkrimit të tyre. Refuzimi i Serbisë për të nënshkruar nuk dëshmon përkushtim të njëmendtë në këtë proces. Krejt ndryshe u soll Kosova duke dëshmuar vullnetin e saj për të nënshkruar të dy dokumentet. Në këtë mënyrë, Kosova ndihmoi edhe partnerët ndërkombëtar që gabimisht mendojnë se përkëdheljet ndaj Serbisë dhe jo rrethimi i saj nga histori suksesi, është rruga e shkëputjes së saj nga Rusia”, ka shkruar Bushati.
Ai shton se pas mbështetjes unanime të shteteve anëtare të BE-së dhe të SHBA-së, plani franko-gjerman zyrtarisht u transformua në një plan evropian.
“Pas mbështetjes unanime të shteteve anëtare të Marrëveshjes së 27 Shkurtit, Plani franko-gjerman zyrtarisht u transformua në një Plan Evropian, me mbështetjen edhe të SHBA-ve. Kësisoj, BE-ja nuk është më vetëm në pozicionin e ndërmjetësuesit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, por edhe e përfshirë drejtpërdrejt në zbatimin e angazhimeve. Proces ky i ndërlidhur me anëtarësimin e Kosovës dhe Serbisë në BE”, shton ai.
Në fund, Bushati thotë se mënyra më e mirë për t’iu përgjigjur agresionit rus në Ukrainë, është përmbyllja e pasojave të luftërave në ish-Jugosllavi.
“Mënyra më e mirë për t’iu përgjigjur agresionit rus në lindje të kontinentit është përmbyllja e pasojave të luftërave në ish-Jugosllavi dhe konsolidimi i projektit evropian në një hapësirë gjeografike, që rrethohet nga shtete anëtare të BE-së, siç është Ballkani Perëndimor”, përfundon Bushati. /Telegrafi/