Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati ka folur për krahasimet që bëhen ndërmjet situatave politike në Maqedoni dhe Shqipëri, duke i quajtur si krahasime të pandershme.
Sipas tij, janë “më e pakta të pandershme politikisht” krahasimet e bëra nga Lulzim Basha.
“Krahasimi që i bën Lulzim Basha situatës në Shqipërië me atë në Maqedoni, duke thënë madje që është 10 herë më e rëndë se në Maqedoni, më e pakta mund t’u them që është totalisht e pandershme politikisht”, deklaroi në Top Story kryediplomati shqiptar.
Ministri Bushati ka folur edhe për lajmet e portaleve që ai i quajti si “periferike”.
“Shikoni portalet e sponsorizuara me shkrime të ndryshme ku shkrimi fillon me situatën në Maqedoni dhe përfundon me atë në Shqipëri, apo fillon me Shqipërinë dhe përfundon në Maqedoni dhe çuditërisht me të njëjtët aktorë, një ambasador amerikan, George Soros dhe një komplot ndërkombëtar për Maqedoninë dhe Shqipërinë”, vijoi ai.
Në lidhje me situatën politike në Maqedoni, Bushati deklaroi se e kanë bështetur Deklaratën e partive politike shqiptare si një tentim për t’u zbatuar Marrëveshja e ohrit, por që u përdor si alibi nga ana e OBRM-PDUKM-së dhe Gjorge Ivanovit.
Bushati thekson se që të realizohet e tërë deklarata, atëherë duhet mirëkuptimi i tërë faktorit politik maqedonas, pasi që duhen ndryshime kushtetuese që arrihet me dy të tretën e votave në Kuvend.