Ministri i Jashtëm shqiptar, Ditmir Bushati në një intervistë me Damon Wilson, zëvendëspresident ekzekutiv i Këshillit Atlantik (Forum për çështjet ndërkombëtare), ka thënë se shkëmbimi territorial ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të shkonte kundër frymës së të gjitha përpjekjeve të bëra në Ballkan gjatë tre dekadave të fundit, por sipas tij ka ardhur koha që të bëhen lëshime të dhimbshme.
Bushati ka thënë se duhet të jenë shumë të kujdesshëm që të mos hapet kutia e Pandorës për raste të tjera në rajon, por sipas tij, ka ardhur koha për Serbinë dhe Kosovën që të bëjnë lëshime të dhimbshme dhe me shpresë të arrijnë një marrëveshje reciprokisht të dobishme, e cila gjithashtu mund të jetë ligjërisht e detyrueshme.
“Së pari, duhet të shohim disa rezultate politike nga procesi i paqes. Tani për tani, fokusi kryesor ka qenë në çështjet teknike në lidhje me lejet e drejtimit dhe lëvizjen e qytetarëve në zonat kufitare. Ka ardhur koha për Serbinë dhe Kosovën që të bëjnë lëshime më të dhimbshme dhe me shpresë të arrijnë një marrëveshje reciprokisht të dobishme, e cila gjithashtu mund të jetë ligjërisht e detyrueshme. Është shumë e qartë se për Serbinë nuk ka pranim në BE pa njohjen e Kosovës. Për Kosovën, nuk ka rrugë drejt BE-së apo NATO-s pa adresuar çështjet që kanë të bëjnë me Serbinë apo pakicën serbe në Kosovë”, ka thënë Bushati, shkruan gazeta Tema.
Duke folur për shkëmbimin e territoreve ndërmjet dy vendeve, Bushati ka thënë se duhet të ketë kujdes që të mos hapet kutia e Pandorës për rastet tjera në rajon.
“Mendoj se kjo do të shkonte kundër frymës së të gjitha përpjekjeve të bëra në Ballkan gjatë tre dekadave të fundit. Do të shkonte kundër frymës së Aktit Final të Helsinkit dhe dokumenteve të tjera ndërkombëtare me vlerë ligjore. Duhet të jemi shumë të kujdesshëm që të mos hapim kutinë e Pandorës për raste të tjera në rajon. Shtetet e Bashkuara, BE dhe NATO kanë investuar shumë në promovimin e multietnicitetit të Ballkanit, për të siguruar që shoqëritë të mbeten të hapura. Unë e di shumë mirë se është një sfidë e vështirë për të ndërtuar shoqëri dhe institucione që i shërbejnë këtij qëllimi, por ne duhet të vazhdojmë në këtë rrugë”, citohet të ketë thënë Bushati.
Bushati ka folur edhe për rastin e Bosnje-Hercegovinës.
“Është e rëndësishme të shohim se si shkojnë votimet në zgjedhjet e përgjithshme të tetorit 2018 në Bosnje. Dhe sigurisht është gjithashtu e rëndësishme të sigurohet që perspektiva e anëtarësimit në NATO dhe BE për Bosnjën është e vërtetë. Ne themi se Marrëveshja e Dayton-it shpëtoi Bosnjën, por tani duket se nuk ofron një platformë të vërtetë për t’i lejuar Bosnjës të bëjë disa hapa të domosdoshëm për të arritur anëtarësimin në NATO dhe në Bashkimin Evropian”, tha ai. /Telegrafi/