Marrëveshja e re e detit që është negociuar në bisedimet dypalëshe me Greqinë, ka ndezur një “zjarr” të madh në politikën shqiptare.
Prej mëse dy ditësh vijojnë replikat e forta në distancë dhe mesditën e sotme ka qenë ish-kryeministri Sali Berisha që ka sulmuar drejtpërdrejtë kreun e qeverisë Edi Rama dhe ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushati.
Sipas Berishës, “Rama ka pranuar hartën e palës greke, ne te cilën, sipas burimeve te sigurta, përveç zgjerimit ne 12 milje te kufirit detar te Greqisë, Rama i fali vendit fqinj fushat me te mëdha te gazit por dhe naftës te Jonit dhe Mesdheut”.
Berisha vijon më tej duke e cilësuar ministrin Bushati si një antishqiptar, që punon kundër interesave kombëtare.
“Rama nxori Ditëziun për te deklaruar dhe mashtruar shqiptaret se marrëveshja është dhe do jete ne përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Sipas këtij sharlatani apatrid shqiptaret nuk kishin luftuar ndonjëherë. ‘Ku luftojnë shqiptaret, ata nuk luftojnë’, – përsëriste ai si refren ne llogoren e tij te pandërprerë. Kështu, sipas tij Skënderbeu nuk është shqiptar sepse nënën e kishte serbe dhe Gjoni ishte diku nga Azia, dhe se Kruja nuk ndodhet ne Shqipëri por ndodhet diku ne Serbi apo Dagestan”, shprehet Berisha.
Deklaratës së ish-kreu të ekzekutivit i është përgjigjur gjatë pasdites, ministri Bushati, duke e akuzuar Berishën për marrëveshjen e mëparshme të detit.
“Sali, unë jam dega e një trungu që s’u përkund kurrë në 500 vjet histori. Mos e përmend detin se aty do nxijë përjetë faqja jote e zezë. Kjo qeveri ku kam nderin të jem, do rikthejë dinjitetin që ti i’a shkele Shqipërisë e do hapë një faqe të re partneriteti strategjik me fqinjin”, shprehet Bushati. /Gazeta Shqip/