Telegrafi

Bush: Irani mbetet një kërcënim

Bush e quajti raportin e përgatitur nga agjencitë amerikane të shërbimit të fshehtë si një sinjal paralajmërues se Teherani mund ta rifillojë programin për prodhimin e armëve bërthamore.

"Është shumë e rëndësishme që bashkësia ndërkombëtare ta pranojë faktin se në qoftë se Irani do të fitonte ekspertizë për transferimin e programit bërthamor në një program që kryhet në mënyrë klandestine, kjo do të përbënte rrezik për të gjithë botën. Prandaj unë e shoh këtë raport si një sinjal paralajmërues se Irani ka pasur një program bërthamor të cilin e ka ndërprerë. Sinjali paralajmërues është se ai mund ta rifillojë atë", tha presidenti Bush.

Raporti arrin në përfundimin se Irani, sipas të gjitha gjasave, e ndaloi programin për prodhimin e armëve bërthamore në vitin 2003.

Shefi i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore, Mohammed El-Baradei tha se ky raport duhet ta zbusë krizën që ka shkaktuar programi bërthamor i Iranit.

El-Baradei tha se vlerësimi i këtij raporti ishte në të njëjtën linjë me raportet e agjencisë që ai drejton se nuk ka prova konkrete se Irani ka aktualisht një program për të prodhuar armë bërthamore.

Irani e ka mirëpritur raportin amerikan. Ministri i jashtëm iranian, Manuhir Mottaki, tha se tashmë ishte e qartë se programi bërthamor Iranit kishte qëllime paqësore.

Duke reaguar ndaj këtij raporti , Britania dhe Franca thanë se bashkësia ndërkombëtare duhet ta vazhdojë presionin diplomatik mbi Iranin.

Ndërsa Izraeli tha se Irani ndoshta po i vazhdon përpjekjet për prodhimin e një bombe bërthamore. /bbc/