Telegrafi

Bush: Irani, financuesi kryesor i terrorizmit në botë

Duke folur sot në Emiratet e Bashkuara Arabe, Bush tha se Irani mbështet militantët në Irak, Liban dhe territoret palestineze. Ai tha se ndërsa vendet e tjera në rajon po shkojnë drejt hapjes, qeveria iraniane shtyp popullin dhe kërcënon vendet fqinje. Bush i bëri thirrje Teheranit të tregojë përgjegjshmëri para popullit të tij.

Qeveria e Iranit akuzoi Washingtonin se po shfrytëzon vizitën e presidentit Bush në Lindjen e Mesme për të përhapur ndjenja anti-iraniane në rajon. Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme tha sot se zyrtarët amerikanë po e ekzagjerojnë incidentin e fundit në Gjirin Persik për ta paraqitur Iranin në dritë negative.

Zëdhënësi iranian e minimizoi konfrontimin e javës së kaluar si diçka rutinë dhe kërkoi që Shtetet e Bashkuara të kërkonin ndjesë për mënyrën se si e përshkruan incidentin.

Komandanti i Flotës së Pestë të Marinës amerikane i deklaroi presidentit Bush se konfrontimi ishte tepër serioz. Bush tha gjatë ndalesës së tij në Izrael të mërkurën se Irani do të përballet me pasoja serioze nëse sulmon anijet amerikane. /VoA/