Site icon Telegrafi

Busek porosit: Kosovarët të japin shembuj për integrim në BE

Erhard Busek Photo: Michaela Bruckberger

Erhard Busek, ish-zëvendëskancelar i Austrisë, diplomat i mirënjohur evropian, i angazhuar shumë rreth çështjes së Kosovës, njëherësh koordinator i Iniciativës për Bashkëpunim Juglindor (SECI), në konferencën njëditore: “Dita austriake-kosovare e integrimeve evropiane”, organizuar nga UBT-ja dhe Shoqata austriake-kosovare, ka porositur kosovarët që të japin shembuj më praktikë, që të jenë pjesë e integruar brenda BE-së.

Ai, duke u bazuar në gjendjen aktuale në Kosovë, theksoi se edhe Austria pas luftës së dytë botërore, kur po krijohej nga një monarki, kishte probleme dhe ishte afër luftës civile.

“Atëherë kishte përplasje të konsiderueshme njëri me tjetrin, por ishte arritur që të mos ndodhte luftë civile, që do të ishte fundi i Austrisë”, saktësoi ai, teksa jepte mesazhin se edhe kosovarët duhet të merren vesh.

“Nëse nuk do të merreshim vesh nuk do të shkonim përpara. Kishte diferenca të thella, por kishte qasje për kompromise”, shtoi ai dhe porositi që pavarësisht diferencave dhe mospajtimeve të brendshme, duhet bashkëpunuar për të mirën e Kosovës.

“Duhet të keni bashkim, ashtu siç ishit të bashkuar për pavarësinë e Kosovës. Nuk duhet të mjaftoheni me historinë, me dhunën e Milosheviqit, por me zhvillimin. Ju duhet të promovoni vendin tuaj me turizëm, trashëgimi kulturore, të vetëmonitoroheni, të bëni më shumë punë, të bëni universitete cilësore për t’i përgatitur gjenerata me edukim, me hulumtime për integrime evropiane etj”, theksoi ai.

Në këtë rrafsh ai e ka lavdëruar UBT-në, si një institucion akademik, që sipas tij, nëpërmjet formave të edukimit po bënë përpjekje të mëdha integrimi.

Ndryshe, ka thënë ai, nuk jetohet me historinë, aq më tepër tashti kur Evropa është në fazë kritike, deri në shkapërderdhje.

“Dikush po thotë se po rritet nacionalizmi, por unë po them se nuk ka nacionalizëm, por ka egoizëm”, vuri në pah ai dhe shtoi se Evropa ka probleme refugjatësh dhe se secili mundohet të mbrojë vetveten.

Tha gjithashtu se Austria e Kosova janë që të dyja të vogla dhe se varen nga globalizimi.

“Pyetja është se, jo vetëm çka duhet t’i sjellë Evropa Kosovës, por edhe çfarë mund t’ia ofrojë Kosova Evropës”, vijoi ai.

Në këtë drejtim, tha se kosovarët duhet të jenë të vetëdijshëm se pakkush e njeh Kosovën në Evropë, se 5 shtete ende s’e kanë njohur atë. /Telegrafi/

Exit mobile version