Telegrafi

Busek: Kompromisi është i pamundur

"Unë besoj se këtyre vendeve nuk do t’u mbetet gjë tjetër. Në vetvete kjo është për të ardhur keq, sepse arritja e një kompromisi do të ishte gjëja më e mirë për të gjitha palët", ka thënë Busek.

Busek thekson se deklarata të tilla për njohjen e pavarësisë së njëanshme të Kosovës gjatë procesit të bisedimeve për statusin nuk janë të favorshme, edhe pse nuk mund të ndalohen.

Gjithsesi sipas tij bisedimet po vazhdojnë për një kohë kaq të gjatë, sa nuk ka më vend për ide dhe fantazi. Për këtë shkak, Busek thotë se nuk ka më shpresa se palët mund të arrijnë ndonjë marrëveshje deri më 10 dhjetor.

"Unë mendoj se në këtë mes janë shteruar të gjitha dhe ne nuk mund të konsumojmë një ekip bisedimesh pas tjetrit. Fillimisht kishim një grup të përbërë nga përfaqësues të pesë vendeve, pastaj Ahtisaari dhe ekipi i tij dhe tani treshja. Më thoni pra kush dhe çfarë tjetër na mbeten akoma", ka thënë ai.

Erhard Busek është i mendimit se njohja e njëanshme e Kosovës nuk do të sjellë patjetër trazira të armatosura edhe pse probleme me siguri që do të ketë. Pasoja të mëtejshme të një veprimi të tillë do të ishin sipas tij: "Fillimisht fakti që për një kohë të gjatë Kosova nuk do të bëhet anëtare e OKB-së. Më tej ndoshta mund të ketë represione p.sh. në lidhje me çështjen se kush ka të drejtë të udhëtojë dhe në cilat vende apo probleme të tjera praktike. Megjithatë, ndoshta do të ishte më mirë që fillimisht të jetojmë me një gjendje të tillë e cila me kohën mund të përmirësohet. Politika dhe ligjet e së drejtës ndërkombëtare janë shpesh përfundime të pragmatikës", thotë Busek. /qik/