Ish-zëvendëskancelari i Austrisë, Erhard Busek, ka thënë se situata e lirisë së medieve në Kosovë duhet të përmirësohet.
Sipas tij liria e medieve është shumë e rëndësishme për demokracinë në Kosovë, si dhe rrugëtimin e saj drejt integrimit evropian, shkruan sot Koha Ditore.
Këto komente Busek i ka bërë në konferencën “Dita austriake-kosovare e lirisë së medieve”, që është organizuar nga Universiteti për Biznes dhe Teknologji (UBT), Shoqata Austriake-Kosovare dhe Instituti i Kosovës për Media.
“Situata e medieve duhet të përmirësohet, kjo është shumë e rëndësishme dhe ne jemi këtu për të folur se duhet të jemi të përkushtuar në mënyrë direkte për çështjet që kanë të bëjnë me mediet”, është shprehur Busek, pasi që nga UBT-ja është nderuar me çmimin “Excellence Leadership Award”, për kontributin e tij në rrafshin politik e shkencor, si dhe për angazhimin e tij në çështjen e Kosovës.
Sipas tij në medie duhet të ketë edhe etikë. “Diçka që quhet etikë duhet të përmendet, kjo është duke munguar, ne kemi nevojë për etikën në mënyrë të veçantë”, është shprehur ai, duke shtuar se kjo është shumë e rëndësishme për demokracinë në një vend.
Busek ka vlerësuar se Kosova ka bërë disa arritje në aspektin e lirisë së medies, porse puna nuk ka mbaruar këtu.