Site icon Telegrafi

Banorët e fshatit Busavatë protestuan para Qeverisë, kundërshtojnë mbylljen e shkollës

Banorët e fshatit Busavatë, mësimdhënësit dhe nxënësit e shkollës fillore “Hasan Prishtina” sot protestuan para Qeverisë së Kosovës, për shkak të reformave arsimore të ndërmarra nga kryetari Qendron Kastrati, e të cilat parashikojnë mbylljen e disa shkollave në këtë komunë.

Ata kërkuan ndërhyrjen e kryeministrit Albin Kurti dhe ministres së Arsimit Hykmete Bajrami për të mbrojtur fëmijët e tyre, të cilët thanë se rrezikojnë të mbeten pa arsim.

Drejtor i shkollës “Hasan Prishtina” në Busavatë, Abedin Maliqi, tha se edhe njëherë kanë dalë që të shprehin shqetësimin për këtë reformë, të cilën e quajti diskriminuese.

Maliqi tha se është për t’u habitur se 104 nxënësve të Busavatës iu privohet e drejta e fëmijëve për të ndjekur mësimin në shkollën e tyre.

“Shkolla e Busavatës qëndron më mirë se 15 shkolla të Kamenicës që kanë prej 1 deri 50 nxënës, e që nuk janë prekur nga ‘reformatori i madh’ Qendron Kastrati. Kurse, 10 prej tyre, kanë vetëm 1 deri 3 nxënës, prapë ato nuk janë prekur, është prekur shkolla jonë me 104 nxënës. Të gjitha këto flasin për një diskriminim që na bën Qendron Kastrati e që së fundi me një memorandum të nënshkruar nga ministrja Hikmete Bajrami e bëri që MASHTI të jetë pjesë e këtij diskriminimi”, tha Maliqi.

Edhe përfaqësuesit e fshatit Busavatë kanë shprehur kundërshtimin ndaj mbylljes së shkollës dhe dënojnë e vendimin e Komunës së Kamenicës për mbylljen e shkollës.

Përfaqësuesit i Këshillit të prindërve, Faim Maliq tha se ky vendim është marrë nga kryetari Kastrati, i cili nuk zgjodhi rrugën e bashkëpunimit me ligj, por rrugën e shantazhit dhe kërcënimit ndaj prindërve e mësuesve.

Maliqi po ashtu tha se nxënësit për të vijuar mësimin në shkollën e përcaktuar në Kamenicë, paraqet edhe rrezik për shëndetin e nxënësve të shpallur nga Instituti i Shëndetit Publik.

“Si pasojë e kësaj, qindra nxënës mbeten pa ndjekur mësimin. Shkolla e re moderne e fshatit Busavatë, e cila është në ndërtim e sipër dhe ka aktualisht 104 nxënës, me të gjitha klasat e mbushura parashihet të mbyllet gati sa e përfunduar. Këta 104 nxënës që nga 2 shtatori 2019 nuk kanë vijuar mësimin shkaku i kundërshtimit të prindërve dhe nxënësve për të vijuar mësimin në shkollën e përcaktuar në Dardanë, e cila paraqet rrezik për shëndetin e nxënësve të shpallur nga Instituti i Shëndetit Publik”, tha Maliqi.

Drejtori i shkollës lexoi edhe një shkresë nga komuna e Kamenicë, të cilën e quajti si kërcënim.

Sipas tij, Drejtoria Komunal për Arsim në Kamenicë ka shkruar se shkolla “Hasan Prishtina” nuk është shkollë, ku me anë të kësaj shkrese thuhet: Nxënësit nga Busavata nuk mund të hyjnë në testin e arritshmërisë pa qenë të regjistruar në shkollën fillore “Fan S Noli”, raporton KP.

Exit mobile version