Përfaqësuesi i grupit të të studentëve te shkëlqyer (bursistë), Drilon Berisha, i është drejtuar përmes një letre të hapur kryeministrit të vendit, Ramush Haradinaj për shkak të vendimit të Këshillit Drejtues të UP-së, për uljen e bursës në 500 euro për studentët e shkëlqyer.
Letra e plotë:
Letër e hapur për kryeministrin e Kosovës.
I nderuar zotëri Kryeministër,
Këshilli Drejtues i Universitetit te Prishtinës “Hasan Prishtina” me datë 21. 12. 2017, ka marrë vendim që të ulë në 500 euro bursën për studentët e shkëlqyer. Ky vendim u bë shkas të ju shkruajmë këtë letër.
Për informimin tuaj ne vitin e kaluar, vlera e bursës për një vit në nivelin ‘Bachelor’ ka qenë 600 euro. Në këtë vit Këshilli Drejtues mori vendim që të ulë këtë bursë në 500 euro.
Do te ndiheshim krenar nëse këto “kursime” do të transferoheshin për solidaritet apo ndonjë investim në interes të shumicës dhe në të njëjtën kohë, “kursime” të tilla të ndodhnin gjithandej. Por këto nuk ndodhën as njëra dhe as tjetra. Kjo na bënë të ndihemi jo mirë.
I nderuar z. Kryeministër, krahas studimeve gjatë vitit 2017 kemi ndjekur me endje të gjitha zhvillimet në Kosovë. Natyrshëm lajmet e mira na gëzojnë si të gjithë qytetarët tjerë dhe na dhurojnë entuziazëm për punë studimore dhe e kundërta, lajmet jo të mira na dëshpërojnë.
Fatmirësisht në muajt e fundit të 2017 ishin shumica lajme të mira. Shumica e treguesve ekonomik ishin pozitiv, falë angazhimit tuaj.
Jemi të vetëdijshëm që ju angazhoheni për zhvillim ekonomik të vendit, për mirëqenien e gjithë qytetarëve, për një jetë më të mirë, për një vend më të sigurt, për një vend me të ardhme për të gjithë. Ne konsiderojmë se jemi e ardhmja e këtij vendi, investoni tek ne, mos na dëshpëroni dhe mos na zhgënjeni. Ne jemi në gjendje të bëjmë më shumë për këtë vend.
Për fund nuk do të dëshironim që në të ardhmen, ne të ju mbajmë mend për ulje të bursave për studentët e shkëlqyer dhe ne të njëjtën kohë për ngritje të pagave te të tjerëve.
Me respekt,
Drilon I. Berisha
Përfaqësues i grupit të studentëve te shkëlqyer (bursistë)!