Telegrafi

Bursat evropiane, humbin plot 170 miliardë euro vetëm për një ditë

Arsyet që kanë çuar në këtë rënie të pazakontë të titujve në bursa kanë qenë publikimi i shifrave të papunësisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe parashikimet aspak optimiste të Fondit Monetar Ndërkombëtar për ecurinë e ekonomisë së “kontinentit të vjetër”.

Më të prekurat nga goditja e djeshme kanë qenë bankat.

Ekspertët argumentojnë se një tjetër faktor që ka ndikuar në rënien e tregjeve financiare kanë qenë komentet e presidentit të Bankës Qendrore Europiane, Jean Claude Trichet mbi taksat, inflacionin dhe rritjen ekonomike të vendeve evropiane.

Sinjalet e para për goditjen u ndjenë fillimisht në bursën e Tokios. Tregjet financiare evropiane, edhe pse tentuan të rezistonin filluan të ndjenin goditjen gjatë orëve të pasdites.

Deklarata e Trichet për ta mbajtur të pandryshuar normën bazë të interesit për euron, në nivelin 4.25 për qind, pavarësisht ngadalësimit të dukshëm të ekonomisë në nivel botëror, u dha bursave shtysën e fundit.

Ato humbën rreth 170 milionë euro, duke futur në panik të gjitha kompanitë.

Më të goditurat kanë qenë shoqëritë financiare, si Barclays që humbi 6.3 për qind për aksion, Santander me një rënie prej 4 për qind, pasuar nga kompanitë e teknologjisë, si Siemens me një humbje prej 4.6 për qind për çdo aksion.

Humbje të mëdha kanë pësuar edhe kompanitë e listuara në bursën e Milanos. Në Piazza Affari, kompania e prodhimit të automjeteve Fiat ka humbur 5.19 për qind për aksion, Telekom ka shënuar për çdo aksion 4.13 për qind rënie, banka Unicredit 1.27 për qind për aksion, ajo Popullore 5.8 për qind për aksion, banka Intesa San Paolo humbi 3.7 për qind etj.

Goditja e djeshme rikthen sërish situatën e paqartë në tregjet financiare ndërkombëtare, e njëjtë me atë të krijuar pas goditjes së tregut të pasurive të paluajtshme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe rritjeve drastike të çmimit të naftës.