Koleksioni i 5,548 lodrave PEZ i një burri nga Nju Xhersi i fiksuar pas karameleve të njohura, i ka dhënë atij Rekordin Botëror Guinness për koleksionin më të madh të lodrave të karameleve.
Brian Trauman për GWR tha se koleksionimi i tij PEZ filloi kur në vitin 1999 në shtëpinë e nënës së tij ai e gjeti një qese të mbushura me lodra nga fëmijëria e tij.
“Kisha një qese prej rreth 100 lodrave në dollapin tim në shtëpinë e mamasë sime dhe nëna ime vendosi se ishte koha që ajo të rimarrë atë hapësirë”, tha Trauman. “Më duhej të vendosja nëse do t’i hidhja apo do t’i mbaja. Kështu që i mbajta dhe vendosa ‘do të marr vetëm pjesën tjetër’. Nuk e dija se çfarë do të nënkuptonte kjo!”, shtoi ai, raporton UPI, përcjell Telegrafi.
Trauman bëri të ditur se ai filloi duke marrë disa lodra më të lira nga eBay përpara se të kalonte në artikujt më të rrallë dhe të shtrenjtë. Ai tha se disa lodra të tjera PEZ erdhën si dhurata nga miqtë dhe familja.
“Motra ime më dha një Yoda PEZ për të më ndihmuar të studioja për provimin e jurisprudencës”, deklaroi ai, duke shtuar: “Kishte edhe të tjerë që më dhuronin lodra të tilla”.
Koleksionuesi tha se disa nga lodrat e tij ishin vlerësuar me një çmim prej mbi 10 mijë dollarëve.
Ndër të tjera Trauman bëri të ditur se në mesin e lodrave më të rralla janë edhe figurat e Princit Harry dhe Meghan Markle.
“Përgjatë viteve është prodhuar vetëm një numër i vogël i versionit të këtyre lodrave, dhe ato janë vendosur në ankand nga vetë PEZ për të mbledhur para për fondacionin Make a Wish”, vazhdoi tutje Brian. /Telegrafi/