Një burrë nga Afganistani ia preu hundën gruas së tij me një thikë kuzhine, pasi ajo ia kërkoi divorcin, thanë zyrtarët të premten, ndërkaq vazhdon rritja e dhunës në familje e shkaktuar nga bllokimi i coronavirusit.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, gruaja afgane e cila është nënë e një djali shtatëvjeçar, po përpiqej të braktiste burrin e saj, i cili e kishte ndaluar atë të dilte nga shtëpia e tyre në provincën jugperëndimore të Paktikës.
Sulmi ndaj 24-vjeçares ndodhi në fillim të këtij muaji, ndërsa policia arrestoi burrin këtë javë. Gruaja pas trajtimit u dërgua në shtëpinë e babait të saj.
“Burri i saj e goditi atë dhe ia copëtoi hundën me një thikë të mprehtë kuzhine”, tha Khoshboo Maidanwal nga departamenti i çështjeve të grave.
Maidanwal shtoi se në dy muajt e fundit zyra e saj ka regjistruar 13 raste të dhunshme të abuzimit në familje. /Telegrafi/