Një moment rrëqethës është filmuar nga kamerat e sigurisë brenda një marketi, ku një foshnje është goditur me grusht në kokë nga një burrë i cili tentoi ta godasë njerkun e foshnjës.
Foshnja 8-muajshe është goditur befasisht me grusht në kokë, por ai grusht ishte i dedikuar për njerkun që po e mbante në dorë, transmeton Telegrafi.
Pamjet e filmuara nga kamerat e sigurisë të publikuara nga pronari i marketit, shfaqin momentin kur pas një mosmarrëveshje mes njerkut dhe një burri, eskalon situata dhe fillon rrahja e papritur.
Pas këtij veprimi njerku i foshnjës largohet për disa momente për ta larguar foshnjën, dhe u rikthye për të vazhduar rrahjen, por sërish doli humbës pasi sulmuesi vazhdonte ta godiste.
Edhe pse nëpunësi i marketit në qytetin Palmira afër qytetit Mendoza në vijën kufitare Argjentinë-Kili, u mundua të ndajë dyshen ata vazhduan të shkëmbejnë grushta.
Mediat lokale raportojnë se si pasojë e këtij sulmi foshnjës i është thyer nofulla, por njerku i tij ka përgënjeshtruar lajmin duke thënë se nuk është lënduar rëndë.
Ndërkaq, sulmuesi i identifikuar nga policia si Gustavo Mesa, tani është duke u hetuar, ndërsa nëna e vogëlushit ka ngritur padi kundër tij. /Telegrafi/